Zyra e UNICEF-it me mbështetjen e Japonisë forcon reagimin ndaj COVID-19
Prishtinë 28 maj - Zyra e UNICEF në Kosovë, dhe Qeveria e Japonisë kanë lidhur partneritet për ta përkrahur popullin e Kosovës përgjatë nevojës emergjente për t’u përgjigjur ndaj krizës së krijuar për shkak të pandemisë me COVID-19.
Qëllimi i këtij partneriteti është të zvogëlohet përhapja e COVID-19 mes njerëzve dhe të zbutet ndikimi i sëmundjes përmes komunikimit të rrezikut dhe angazhimit të komunitetit, ofrimit të produkteve themelore, ofrimit të kujdesit të vazhdueshëm në shërbime esenciale shëndetësore për gratë, fëmijët dhe komunitetet e cenuara dhe përmes mbështetjes për qasje në arsimim të vazhdueshëm.
“Përderisa Kosova po i kthehet dalëngadalë normalitetit të ri nga COVID-19, është qenësore që UNICEF-i të punojë me partnerët për të mbrojtur sa më shumë fëmijë dhe të rinj të cenuar dhe për t’i zbutur ndikimet e pandemisë në shoqëri”, tha Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë sot përgjatë takimit me ambasadorin japonez në Kosovë.
Pandemia e cila u përhap shpejt po kërcënon jo vetëm jetën e shumë njerëzve në mbarë botën, por edhe mënyrën e jetesës dhe dinjitetin e njerëzve. Në krahasim me sëmundjet e tjera infektive të së kaluarës, ndikimi social dhe ekonomik i shkaktuar nga COVID-19 është shumë më i madh.
“Për ta luftuar këtë krizë, Qeveria e Japonisë beson se nevojitet ndihmë emergjente për të shpëtuar jetë dhe për ta minimizuar ndikimin socio-ekonomik si dhe për ngritjen e kapaciteteve të sistemit të shëndetësisë publike nga një këndvështrim afatmesëm dhe afatgjatë."
"Në veçanti është e rëndësishme që kjo të bëhet përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse bazuar në idenë e programeve ‘Siguria njerëzore’ dhe ‘Asnjë të mos mbetet pas’,” tha Mitsunori Ogasaëara, i ngarkuari me punë i Ambasadës së sapo themeluar japoneze në Kosovë.
Zyra e UNICEF-it në Kosovë dëshiron ta falenderojë Qeverinë dhe popullin e Japonisë për kontributin e tyre bujar prej 718,200 dollarë që do të jetë thelbësor në arritjen e më shumë se 250 mijë individëve me të gjitha ndërhyrjet duke e përfshirë ofrimin e Pajisjeve Personale Mbrojtëse, komunikimin e rrezikut, zgjerimin e programit të imunizimit dhe vizitave në shtëpi, qasjes në arsimim të vazhdueshëm dhe zhvillimin e shkathtësive për të rinjtë.
Zyra e UNICEF-it në Kosovë mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve me akterë të tjerë dhe për t’iu ofruar mbështetje Institucioneve dhe komuniteteve në terren.