Zhvilloi punimet simpoziumi për kirurgji dhe urologji të fëmijëve
Prishtinë, 15 prill - Në Qendrën e Telemjekësisë Kosovare, sot është mbajtur Simpoziumi Shkencor nga Kirurgjia dhe Urologjia e Fëmijëve.
Në Simpozium, mes tjerash, janë prezantuar rastet e operuara nga ekipi i mjekëve nga Australia në bashkëpunim me mjekët e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve.
Simpoziumin e hapi, Prof. dr. Nexhmi Hyseni, Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, i cili në mënyrë kronologjike paraqiti punën e bërë nga ana e stafit të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, sukseset problemet dhe sfidat me të cilat është ballafaquar klinika.
Ai tha se që nga formimi i këtij shërbimi e deri tani është punuar mjaftë në aftësimin profesional të stafit, por mbetet ende punë për tu bërë krahasuar me vendet më të zhvilluara.
Ai përmendi mes tjerash bashkëpunimet ndërkombëtare që ka pasur Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve me institucione të ndryshme shëndetësore jashtë vendi, me ç?rast mjekët ndërkombëtarë kanë operuar fëmijët kosovarë.
Dr. Hyseni, foli edhe për rastet e operuar së fundmi nga ana e mjekëve nga Australia, duke sqaruar se Prof. Paady Dewan, ka intervenuar tek disa fëmijë me komplikime të rënda.
Sipas tij, gjendja shëndetësore e fëmijë të operuar është e mirë dhe ata janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme të mjekëve.
Ai tha se Shoqata e Kirurgjisë Pediatrike, e cila është formuar më 2004, ka bërë dhe po bënë angazhime të mëdha për organizimin e Simpoziumeve dhe Konferencave Ndërkombëtare, por edhe në sjelljen e ekspertëve ndërkombëtarë.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Ferid Agani, falënderoj ekipin e mjekëve nga Australia që përkundër rrugës së gjatë dhe angazhimeve të mëdha, kanë gjetur kohë dhe kanë dhënë kontribut me përmasa të jashtëzakonshme, e cila ka ndikuar në kualitetin e jetës së fëmijëve.
Ai theksoi se punë të shkëlqyer ka bërë edhe Shoqata e Kirurgjisë Pediatrike me angazhimet e saja, e cila do të duhej të shërbejë si model edhe për Shoqatat e tjera.
Sipas tij, angazhimet sistematike, puna e bërë dhe vizioni i kirurgëve të fëmijëve, ka bërë që të bëhet punë e madhe me rëndësi kombëtare dhe shumë etike.
Ministri Agani, premtoj angazhim konkret në mbështetje të aktiviteteve të Klinikës së Kirurgjisë së fëmijëve dhe Shoqatës së Kirurgëve të Fëmijëve.
Në emër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, (QKUK), fjalë rasti mbajti, Ud. Drejtori Ekzekutiv, Dr. Lulzim Emini, i cili fillimisht falënderoj mjekët nga Australia që kanë ndihmuar në operimin e fëmijëve nga Kosova, e po ashtu vlerësoi lartë punën dhe kontributin që kanë dhënë edhe mjekët e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve.
Ai premtoj se do të angazhohet për kushte më të mira për trajtimin e fëmijëve, duke sqaruar se hapat e parë konkret janë ndërmarrë në këtë drejtim, pasi që dy shërbimet e neonatologjisë që kanë funksionuar ndaras, tani janë bashkuar dhe funksionojnë së bashku.
Sipas tij, në 2 vitet e ardhshme me përkrahje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe donatorëve parashihet ndërtimi i objektit të ri të Kirurgjisë Pediatrike, i cili do ndërtohet afër Klinikës së Pediatrisë dhe do të ketë sallat operative dhe staf të mjaftueshëm të mjekëve.
Prof.dr Gani Bajraktari, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, tha se puna e bërë në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve , paraqet shembullin më të mirë të funksionimit të klinikave të QKUK-së.
Sipas tij, kjo ka Klinikë ka dëshmuar se është prej klinikave dhe shërbimeve më të organizuara në QKUK dhe se po ecën hapave të klinikave më të zhvilluara të vendeve tjera.
Në fund, prezantimin e rasteve e bëri Prof. Paady Dewan, i cili tregoi përvojat e tija në më shumë se 80 vende të ndryshme të botës.