Zhvillohet operacioni policor Aspirini
Prishtinë, 3 janar - Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në këtë rast Njësiti për hetimin e krimeve ekonomike në Prizren, ka zhvilluar një operacion policor të koduar me emrinAspirini.
Ky operacion policor është zhvilluar pasi që ka ekzistuar dyshimi i bazuar se në disa barnatore në qytetin e Rahovecit janë duke u kryer veprat penale tregti e ndaluar, keqpërdorim i pozitës zyrtare, kontrabandimi i mallrave dhe shmangie nga tatimi.
Hetuesit policorë të këtij njësiti, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Gjakovës, pas hetimeve disamujore, me 28.1.2014 ka filluar së zbatuari planin operativ Aspirini e që ka pasur të bëjë me kontrollimin e barnatoreve të cilat operojnë pa licenca, pa staf adekuat si dhe parregullsitë e shumta përcjellëse.
Si pasojë e kontrollit tri (3) barnatore janë mbyllur nga inspektorët e AKPM-së (Agjensioni Kosovar për Produkte Medicinale) për shkak të mungesës së licencave nga Ministria e Shëndetësisë dhe e tërë veprimtaria e tyre ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Një pjesë e medikamenteve janë të kontrabanduara (pa banderola) dhe një pjesë e tyre kishte banderola të Republikës së Serbisë.
Vlera e medikamenteve të sekuestruara kap shumën rreth 14.000 euro.