Zhegra shembull për menaxhimin e suksesshëm të Covid-19
Gjilan, 29 mars - Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i shoqëruar edhe nga drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, kanë vizituar fshatin Zhegër, ku janë takuar me Këshillin dhe Shtabin Emërgjent atje.
"Është një mobilizim i jashtëzakonshëm nga ky fshat, pa ndasi politike, të cilët në prioritet kanë menaxhimin e situatës nga kjo pandemi dhe vazhdimin me përkrahje për t’iu dalë në ndihmë të vazhdueshme banorëve të Zhegrës. Këta banorë që janë trima në këtë situatë të vështirë, po punojnë në mënyrë organizative, në çdo kohë, për të qenë pranë banorëve, me tërë kapacitetet e tyre", ka thënë ai në fjalën e tij.
Ismajli e ka njoftuar Këshillin dhe Shtabin Emergjent se do ta kenë mbështetjen maksimale të Komunës së Gjilanit, për çdo kërkesë të tyre, e cila është në funksion të menaxhimit të situatës pandemike.
"Zhegra është shembulli më i mirë i kësaj situate pas rastit të parë i cili u menaxhua suksesshëm, ku me vetë-izolimin e banorëve, u bë e mundur që të mos shtohen edhe raste tjera, për çka jemi falënderues", potencoi ai.
Ai ka kërkuar nga qytetarët, të ndjekni shembullin e Zhegrës, të vetë-menaxhimit të situatës, pasi që kjo natyrë e punës, mbetet e vetmja mundësi për parandalim virusit që ka përfshirë gjithë botë.
"Vazhdoni në ndjekjen e instruksioneve nga IKSHP dhe nga Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë që bashkërisht të jem menaxhues të situatës. Vetëm të bashkuar, do t’i përcaktojmë kufijtë e mospërhapjes së kësaj pandemie që deri tash morri jetën e shumë njerëzve në nivel botëror", përfundoi nënkryetari Ismajli.