Zgjedhjet që bëjnë pacientet me kancer gjiri
Washington, 20 nëntor - Kur aktorja Angelina Jolie njoftoi se kishte hequr gjirin për të minimizuar rrezikun për tu prekur nga kanceri i gjirit, doli në pah çështja e operacionit parandalues.
Korrespondentja Carol Pearson ka ndjekur historinë e ish-gazetares së Zërit të Amerikës, Zuli Palacio, që ka kancer në njërën anë të gjirit, por bëri mastektomi tek të dyja.
Zuli Palacio kalon sa më shumë kohë që mundet duke punuar në qeramikë.
\"Puna me qeramikë ka qenë terapia ime mendore dhe fizike për 15 vjet. Është shumë çlodhese. Të nxit krijimtarinë. Dhe ti largon vuajtjet nga mendja.
Zuli Palacio u diagnostikua me kancer në gji në mars, ka bërë kimioterapi, dhe tani ka vendosur të bëjë mastektomi për të dyja anët e gjirit megjithëse kanceri ka prekur vetëm anën e majtë.
\"Ishte vendimi im personal për një mastektomi të dyfishtë. Arsyet janë të shumta\".
Mes së cilave: rreziku se kanceri mund të rikthehej.
\"Ideja se mund të kaloja gjithë jetën si në një lojë rulete ruse duke menduar kur do të preket ana tjetër e gjirit, nuk ishte diçka që unë mund ta përballoja.
Kjo mund të quhet edhe \"efekti Angelina Jolie\", që kur aktorja iu nënshtrua një mastektomie të dyfishtë pasi një analizë gjenetike nxorri në pah se ajo ishte në rrezik të lartë të prekej si nga kanceri i gjirit, ashtu edhe ai i mitrës. Por kjo ide është e debatueshme.
Dr. Marc Boisvert i Spitalit Medstar në Uashington nuk e sugjeron një gjë të tillë.
\"Mendoj se edukimi është i rëndësishëm në këtë drejtim. Mendoj se mund të qetësoshesh psikologjikisht nëse mbahesh nën vëzhgim me kujdes dhe nëse informohesh për shifrat dhe shanset e rikthimit të kancerit.
Mjekët e Palacios thonë se një mastektomi e dyfishtë nuk është e nevojshme, por infermierët dhe pacientët e tjerë me kancer i sugjeruan që ta bënte operacionin parandalues.
\"Kam tre shoqe të cilave dy-tre vjet pasi bënë mastektominë, iu rikthye kanceri në anën tjetër dhe iu desh të bënin një mastektomi të dytë. Më kishin thënë që ishte një përvojë shumë e vështirë. Ato sugjeruan që ta bëja që tani mastektominë e dyfishtë dhe të mos prisja.
Pavarësisht nga mendimet e ndryshme, shumë mjekë janë të një mendjeje se pacienti duhet të ndjekë kurën me të cilën ndjehet mirë, qoftë ajo mbajtje nën vëzhgim të kujdeshshëm, trajtim agresiv apo operacion.
/Zëri i Amerikës/