Zbulohet një pajisje e re për të sëmurët me zemër

Londër, 14 korrik - Temperaturat e larta janë të rrezikshme për njerëzit e sëmurë nga zemra.
Mjekët në Britani thonë se një pajisje e re e zbuluar kohët e fundit, mund ti ndihmojë njerëzit që rrezikohen nga insufiçenca kardiake të shmangin shtrimin në spital.
Teknologjia e re, që bën të mundur monitorimin e gjendjes shëndetosore të njerëzve, mund të jetë shumë e dobishme në ditët e nxehta.
Mjekët e vendosin mikroçipin që monitoron gjendjen e pacientit në arterien e tij, pikërisht midis zemrës dhe mushkërive.
Një herë në ditë pacienti qëndron mbi një skaner, që i dërgon të dhënat e tij në spital. Në se vërejnë shenja të përkeqësimit të gjendjes, mjekët i rrisin dozën e ilaçeve pacientit.
Spitali Royal Brompton i Londrës që po praktikon këtë metodë të re, ja dërgon të dhënat e para të provave Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, me shpresën që teknologjia e re të përmirësojë shëndetin e pacienëve dhe të kursejë paratë e shpenzuara për shtrimin në spital.