Vushtrria bëhet me Spitalin më modern në rajon
Vushtri, 13 maj- Një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë, i prirë nga Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Imer Rrahmani, zv. Ministri, Z.Mevludin Krasniqi dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dr. Curr Gjocaj, sot kanë vizituar Spitalin e Përgjithshëm Sheikh Zayed në Vushtrri.
Ata u njoftuan në lidhje me renovimet e bëra në këtë institucione dytësor të shëndetësisë, ku pas investimi rreth 7 milionësh nga Emiratet e Bashkuara Arabe, janë rinovuar në tërësi hapësirat, duke u bërë spitali më modernet në rajon.
Me këtë rast, Ministri Imet Rrahmani, tha se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor Universitar të Kosovës (SHSKUK) do të kujdesen që ky investim të shfrytëzohet në dobi të pacientëve. Ky investim dëshmon se po krijohen mundësi për shërbime cilësore shëndetësore dhe po zvogëlohet mundësia që pacientët të ikin jashtë institucioneve shëndetësore në Kosovë, theksoi Rrahmani.
Në anën tjetër, Dr. Curr Gjocaj, drejtor i SHSKUK-së, tha se pas renovimit në këtë spital janë krijuar kushte shumë më të mira për pacientët që kërkojnë shërbime shëndetësore. Sipas tij, ky investim dhe kushtet moderne të krijuara flasin dhe janë dëshmia më e mirë se edhe në institucionet publike shëndetësore infrastruktura dhe cilësia është në rritje.
Dr. Hajrullah Saraqi, drejtor ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri, tha se punimet e tërësishme do të përfundojnë brenda dy apo tre javësh dhe ky spital do të ketë kushtet dhe aparaturën më moderne në rajon.
Gjatë vizitës u diskutuan mundësitë që ky Spital të përkrahet edhe me kuadro profesionale, të rritet numri i shërbimeve dhe të shtohet kualiteti, në mënyrë që pacientët të kenë mundësi të marrin shërbimet e kërkuara.