23 Dhjetor 2024

Vlerësohet lart roli i mamive në Kosovë

Prishtinë, 5 maj - Organizuar nga Zyra e OBSh-së në Prishtinë, Ministria e Shëndetësisë, Departamenti i Infermierisë dhe Mamive i Fakultetit të Mjekësisë të UP-së dhe Shoqata e Mamive të Kosovës, sot në Prishtinë u shënua Dita Ndërkombëtare e Mamive.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Ferid Agani, duke përgëzuar mamitë e Kosovës për ditën e tyre dhe duke e vlerësuar lart rolin që ato kanë, tha se është privilegj i veçantë, por edhe përgjegjësi për rolin që mamitë kanë gjatë punës së tyre, me që ato janë të parat që janë në kontakt me fëmijët që vijnë në jetë.

“Karakteri psikologjik i kontaktit të parë ka rëndësi të veçantë për fëmijën, prandaj marrëdhënia e mamisë me fëmiun paraqet një dimenzion të rëndësishëm për jetë”, tha Ministri Agani.

Ai theksoi se pikërisht për shkak të kësaj rëndësie, Ministria e Shëndetësisë e ka vënë si prioritet të parë ndër prioritete zvogëlimin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës, me theks të veçantë të fëmijëve.

Ministri Agani tha se ende për shëndetësinë kosovare mbetet sfidë zvogëlimi i vdekshmërisë perinatale, megjithë zvogëlimin në 19 promila të kësaj vdekshmërie, që ende paraqet një shkallë të lartë, krahasuar me vendet e BE-së.

“Të gjithë së bashku kemi për detyrë historike që t’i arrijmë ata indikator që dëshmojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, dhe jam i bindur se këtë mund ta arrijmë”, tha Ministri Agani.

Ministri theksoi se shumë shpejt do të miratohet Ligji i ri i Shëndetësisë, ndërsa me qëllim të përmirësimit të shëndetit të nënës dhe fëmijës, MSh ka miratuar edhe Strategjinë për Shëndetin e Fëmijëve, Adoleshentëve, Nënave dhe shëndetin riprodhues.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se është privilegj që në ditën ndërkombëtare të mamive, të përgëzojë mamitë e Kosovës nëpër duartë e të cilave kanë kaluar 400.000 të porsalindur që nga viti 2000, apo mesatarisht rreth 33.000 të porsalindur në Kosovë çdo vit.

“Roli i mamive në sigurimin dhe ofrimin e kujdesit para, gjatë dhe pas lindjes, është theksuar dhe ka qenë objektiv i përpjekjeve të vazhdueshme të OBSH-së. E bëmë këtë duke filluar me kujdesin esencial obstetrik dhe kujdesin për të porsalindurin dhe të ushqyerit në gji që u zbatua që nga viti 2001, për të vazhduar me menaxhimin e integruar të sëmundjeve të fëmijëve dhe kujdesin efektiv perinatal që ka filluar të zbatohet para dy vitesh edhe në Kosovë, në kuadër të projektit të përbashkët për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës, të zbatuar nga MSh-ja, OBSH, UNICEF, UNFPA me përkrahjen e Qeverisë së Luksemburgut...”, theksoi dr. Syla

Dr. Natyra Karahoda,  Koordinatore e Departamentit të Infermierisë dhe Mamive në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë theksoi përpjekjet e vazhdueshme për ngritjen profesionale të mamive në Kosovë dhe në këtë aspekt, ajo tha se prej vitit 2003 kur filloi punën Dega e mamisë në kuadër të FM-së, 119 mami kanë diplomuar në arsimin universitar.

Kurse znj. Bedrije Berisha , kryetare e Asociacionit të Mamive të Kosovës ka folur për historikun e shkurtër i profesionit të mamisë në Kosovë.

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Mamisë, që u shënua në Kinemanë ABC në Prishtinë, u shfaq edhe premiera e filmit dokumentar të Ylli Pepos me titull: “Një histori e rrallë…”, që i kushtohet rolit, kontributit, sakrificës dhe vetëmohimit të mamive në rrethana të jashtëzakonshme, duke pasur për protagoniste një nga mamitë e shumta (znj. Sanije Desku) që ofruan ndihmën e tyre për popullatën e zhvendosur dhe të prekur nga lufta e fundit në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)