Virusi MERS i merr jetën dy personave në Korenë e Jugut
Seul, 2 qershor - Dy persona të prekur nga virusi MERS në Korenë e Jugut ndërruan jetë gjatë ditës së hënë, duke u bërë viktimat e para nga ky virus në këtë shtet.
Viktima e parë ishte një grua 58-vjeçare, e cila kishte pasur kontakte me një person të prekur nga virusi, i cili kishte vizituar më parë shtet e Lindjes së Mesme, ku edhe ishte infektuar. Ndërsa gjatë së hënës ndërroi jetë edhe një 71-vjeçar.
Pjesa më e madhe e personave të prekur nga virusi në fjalë janë regjistruar në Arabinë Saudite dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme, por edhe në Korenë e Jugut janë regjistruar 17 raste që prej fillimit të muajit të kaluar.
Më shumë se 680 persona, të cilët mund të kenë pasur kontakt me pacientët e infektuar, janë vendosur në izolim në Korenë e Jugut. Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë u tha gazetarëve se personat në karantinë po qëndrojnë në shtëpitë e tyre ose në objekte shtetërore, për të parandaluar përhapjen e virusit.
Viktima e parë e këtij virusi është regjistruar në qershor të vitit 2012 në Arabinë Saudite. MERS, sindroma respiratore i përket familjes së viruseve ku përfshihet gripi dhe Sarsi, shkakton pneumoni dhe probleme të rënda të veshkave. Kundër tij nuk ka vaksinë ose trajtim anti-virale.
Raste të personave të prekur me këtë virus janë regjistruar në vende të ndryshme të botës, nga të cilët deri tani kanë humbur jetën 479 nga të prekurit, sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
Viktima e parë në Azi u regjistrua në Malajzi në muajin prill, i cili ndërroi jetë pas kthimit nga një pelegrinazh në Arabinë Saudite.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë gati një e treta e personave të diagnostikuar me MERS kanë vdekur.