Virusi Ebola merr përmasa të mëdha
Sierra Leone, 24 qershor - Virusi vdekjeprurës Ebola në Afrikën Perëndimore po merr përmasa të mëdha, bëjnë të ditur punonjësit e ndihmave në terren.
Epidemia është jashtë kontrollit, ka dhënë alarmin Bart Janssens, drejtor i operacioneve të organizatës Mjekët Pa Kufi.
Që nga fillimi i epidemisë në muajin Mars janë regjistruar 567 persona të prekur, ndërsa 350 prej tyre kanë humbur jetën, shifrat janë bërë publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Virusi ka shpërthyer në 60 zona të ndryshme në Guine, Sierra Leone dhe Liberi. Në kryeqytetin e Guinesë banojnë rreth 2 milionë persona, atje gjendet edhe një aeroport ndërkombëtarë.
Mjekë pa kufi është organizate e vetme e cila po ndihmon në trajtimin e personave të prekur nga ky virus. Në zonat e prekura gjenden rreth 300 anëtarë të kësaj organizate.
Ebola është një prej viruseve më vdekjeprurëse në botë, duke shkaktuar ethe hemorragjike, të cilat i marrin jetën 90% të personave të prekur.
Virusi përhapet në gjak, mbyll sistemin imunitar, duke shkaktuar temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe dhimbje të muskujve , shoqëruar shpesh edhe me gjakderdhje.