Vihet gurthemeli i QMF-së në Bair
Mitrovicë, 29 maj - Është vënë gurthemeli i Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen Bair, përkatësisht afër ish Jetimores. Projekti, të cilin do ta financoj Ministria e Shëndetësisë, do të ofroj shërbime shëndetësore për banoret e lagjes Bair dhe qytetarët tjerë që jetojnë afër kësaj lagjeje.
Të pranishëm në vënien e gurthemelit, ishin kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Safet Kamberi, drejtori i Shëndetësisë në komunën e Mitrovicës, Qazim Ferizi, drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylajmani dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë, Rrahman Sylejmani.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri tha se ndërtimi kësaj qendre në lagjen Bair ka qenë i domosdoshëm.Sipas tij, tash e tutje banorët e kësaj ane do t`i kenë më afër shërbimet shëndetësore.
Me vënien e gurthemelit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Bair, po bëhet edhe një hap tjetër drejt ofrimit të shërbimeve shëndetësorë për qytetarët në lagjet ku ata jetojnë. Ne jemi të përkushtuar që qytetarët të marrin shërbime sa më të afërta dhe sa më të mira të mundshme. Unë jam duke punuar në drejtim që edhe në zona të tjera kush është e nevojshme të fillojmë me rritjen e kapaciteteve shëndetësore, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira shëndetësore, tha ai.
Edhe drejtori i Shëndetësisë në komunë, Qazim Ferizi e ka përshëndetur vënien e gurthemelit të QMF-së në Bair. Ai tha se kjo është një ndihmë e madhe për banorët e Bairit, të cilët ofrimin e shërbimeve shëndetësore do të kenë shumë më afër se sa më parë. Për banorët e kësaj anë kjo do të thotë shumë, tha ai.
Ndërsa, përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë, Rrahman Sylejmani, tha se Ministria e Shëndetësisë e ka mbështet këtë projekt, duke e parë se ka qenë e nevojshme, por njëkohësisht është edhe në vazhdën e objektivave që ka Ministria e Shëndetësisë për të ofruar qytetarëve shërbime sa më efikase.
Ai tha se Ministria në bazë të planeve edhe në të ardhmen do të mbështesë edhe projekte të tjera.
Në kuadër të planeve tona që kemi për të ngritur cilësinë e shërbimeve për qytetarët në sektorin shëndetësor, ne kemi vendos me e përkrah këtë projekt. Qëllimi kryesor i këtij projekti është që qytetarët të kenë qasje në shërbime shëndetësore, sa më afër vendbanimeve, tha ai.
Ndërsa, drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylejmani, tha se në këtë QMF do të kryhen shërbimet e zakonshme shëndetësore, si shërbimet e vaksinimit, stomatologjisë etj, si dhe do të ketë laborator të analizave, pastaj mund të jepen infuzionet etj.