Vihet gurthemeli i pediatrisë në spitalin rajonal të Mitrovicës
Mitrovicë, 20 prill - Zyrtarë të lartë qeveritarë dhe ata të pushtetit lokal, kanë marrë pjesë të shtunën në vënien e gurthemelit për ndërtimin e objektit të pediatrisë në spitalin rajonal Sami Haxhibeqiri në Mitrovicë.
U vlerësua si një projekt tepër i rëndësishëm që do të ofroj dhe lehtësoj shërbimet shëndetësore për fëmijët e rajonit të Mitrovicës, ku jetojnë rreth 200 mijë banorë.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, falënderoi shoqatën humanitare Nëna Tereze në Gjermani që ka marrë përsipër ndërtimin e këtij objekti.
Duke pasur parasysh rrethanat që kemi trashëguar pas luftës, është e udhës që të gjithë të na ndihmojnë që të përmirësohen shërbimet shëndetësore në rajonin tonë.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, shprehu kënaqësinë e veçantë për fillimin e këtij projekti.
Ministria e Shëndetësisë është shumë e përkushtuar që të zhvilloj një infrastrukturë spitalore në qytetin e Mitrovicës në pajtim me standardet më të larta profesionale dhe ndërkombëtare, tha ai, duke shtuar se për tri vitet e ardhshme planifikohet të investohen rreth 2 milionë euro për shëndetësinë mitrovicase.
Të pranishmëve ju ka drejtuar edhe përfaqësuesi i shoqatës Nëna Tereze nga Gjermania, Shaqir Gashi.
Do të ndërtohet një objekt prej rreth 1200 metrash katrorë dhe me kapacitet prej 25 shtretërish, i cili do të jetë me standarde evropiane. Vlera e tij do të sillet rreth 500 mijë euro dhe pritet të përfundoj brenda gjashtë muajsh.
Për rëndësinë e projektit kanë folur edhe drejtori i spitalit, Agim Peci, si dhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni. Gurthemeli në mënyrë simbolike është vënë nga pesë fëmijë të komuniteteve të ndryshme.