Vetëvendosje: Vjedhje institucionale në shëndetësi

Prishtinë 13 mars - Lëvizja Vetëvendosje! ka mbajtur konferencë për media për të denoncuar dëmin ekonomik e social të shkaktuar përmes një afere në fushën e shëndetësisë dhe ku rol kryesor ka ish ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, bashkë me vëllanë e bashkëshortes së tij, Ymer Shahinit të cilit ia mundësua të merrte tender për pajisjen me hardware për Sistemin Informativ Shëndetësor në Republikën e Kosovës.
Si pasojë edhe për shumë kohë qytetarët tanë nuk do të kenë as sigurime shëndetësore e as sistem informativ shëndetësor. Për këto në konferencë folën Dardan Sejdiu nga Komiteti për Financa dhe Mirsad Shkreta, anëtar i komitetit për Shëndetësi.
Sejdiu tha se skandalet dhe vjedhjes institucionale që i bëhet Kosovës që prej 16 vitesh, tashmë po prekin edhe resurset sociale me qëllimin e vetëm pasurimin e pushtetarëve dhe familjarëve të tyre.
Në vitin 2011, Ministri i Punëve të Jashtme në atë kohë Enver Hoxhaj, kishte nënshkruar marrëveshje me Luksemburgun për ndihmë në projekte të ndryshme. Një prej këtyre projekteve është Sistemi i Informimit Shëndetësor. Ky është i domosdoshëm për të ndërtuar skemë të sigurimeve shëndetësore. Në vitin 2012 ishte hapur tenderi për ndërtimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor për blerjen e hardëare-it. Kontrata për këtë është nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë në atë kohë, financuesi, donatori, dhe kontraktuesi.
Fitues i këtij tenderi është kompania PRINTEC e cila këtu përfaqësuesi Ymer Shahini, i cili është vëllai i bashkëshortes së Enver Hoxhajt. Shahini, megjithëse kishte nënshkruar këtë kontratë që ndër të tjera kërkon edhe ratifikim ndërkombëtar, në zyrën për regjistrimin e bizneseve në Kosovë (ARBK), Shahini nuk figuron fare si palë, gjë e cila përbën shkelje. Nuk është i regjistruar si përfaqësues i kompanisë PRINTEC.
Kjo marrëveshje, nënshkruhet në tetor të vitit 2012, për zbatim për 36 muaj dhe parasheh që për 12 muaj të sillen pajisjet, kurse për 34 muaj të sigurohet me këtë kontratë mirëmbajtja e këtyre pajisjeve për SISH. Sot katër vite më vonë, kemi ardhur në një situatë ku kontraktori është paguar 1 milion euro nga totali prej 1.5 milion euro sa është vlera e përgjithshme e kontratës. Ymer Shahini i cili i ka marrë 1 milion euro, i është ngritur kërkimi nga Interpoli dhe FBI për mashtrim multimilionësh në nivel ndërkombëtar. Për këtë person ekziston ndjekje ndërkombëtare që nga viti 2015. ( https://www.fbi.gov/newyork/press-releases/2015/manhattan-u.s.-attorney-announces-charges-against-seven-individuals-for-multi-million-dollar-investment-scheme )
Në vitin 2015 ky sistem do të duhej të ishte në funksion, por jemi në vitin 2016, në kohën kur janë paguar 1 milion euro dhe asnjë fjalë të vetme nuk e kemi as nga ministria e as nga prokuroria e cila i ka nisur hetimet dhe po ashtu i ka pezulluar ato.
Sot ka konflikt brenda konsorciumit dhe ndërprerje të punës në vitin 2014. Lënda është në gjykatë. Prokurori i rastit z.Shkëlzen Ibrahimi nuk po i vazhdon hetimet për drejtorin e PRINTEC-ut që është i paregjistruar në ARBK. Ndërkaq, kontrata parasheh që në rast se ka vonesa në performancë, atëherë parashihet kompensim prej 0.1 për qind të vlerës së kontratës në baza ditore, duhet ti ngarkohet atij që e jep shërbimin apo e furnizon Republikën e Kosovës me hardware për Sistemin Informativ Shëndetësor.
Kurse dr. Mirsad Shkreta tha se është shqetësues po ashtu fakti se nuk po reagojnë as aktorët të cilët kanë qenë nënshkrues të marrëveshjes; ish ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari permanent Gani Shabani nuk kanë paralajmëruar asnjëherë se ky projekt po has në probleme, përkundrazi deklarimet e tyre kanë qenë sipas deklaratave jemi në fazën përfundimtare të projektit.
Të njëjtat deklarime po i bën dhe Ministri aktual Imet Rrahmani, i cili edhe në pyetjet e drejtuara gjatë mbledhjeve në Komisionet parlamentare nuk e ka paraqitur asnjëherë këtë problem.
Shkreta shtoi se akuzat mes partnerëve të koalicionit për fushën e shëndetësisë sjanë tjetër, pos garë mes grupesh se cili prej tyre të marrë më shumë nga menaxhimi i parasë publike.