Vetëvendosje bën thirrje për hetime ndaj Klinikës Gjinekologjike
Prishtinë, 7 mars - Komiteti për Shëndetësi i Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë të ditur se ka ndjekur tash sa kohë me vëmendje dhe shqetësim rastet që po ndodhin në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike.
Shkeljet flagrante dhe vënia në rrezik e jetës së nënave dhe foshnjave po shtohen nga viti në vit.
Vetëvendosje konsideron se përkundër kësaj gjendje pak herë për të mos thënë aspak është parë e dëgjuar veprimi e reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë.
Rasti i fundit në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike ndodhi me pacienten Sabile Krasniqi e cila për shkak të neglizhencës së stafit ka lindur fëmijën në korridorin e klinikës.
Më pas u ofendua nga stafi, dhe për t`u shfajësuar këta të fundit e detyruan që të shkruajë një deklaratë se gjoja ajo dhe fëmija e saj qenkan mirë përkundër asaj që kishte ndodhur.
\"Sjellja joprofesionale dhe shpesh jonjerëzore ndaj grave që lindin në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike është mirë e njohur për opinionin dhe veçanërisht për të gjitha ato gra të cilat kanë qenë paciente të kësaj klinike\", thekson Vetëvendosje.
Vetëvendosje vlerëson se lindja e gruas në korridor përkundër ngarkesës së kësaj klinike me numër enorm të stafit profesional është dëshmi e neglizhencës, mospunës dhe papërgjegjësisë në këtë institucion.
Ky rast përbën jo vetëm shkelje të çfarëdo praktike e etike mjekësore por është drejtpërdrejtë vepër penale dhe rrezikim i jetës së pacientes.
Ofendimet, sharjet, nënçmimet, mospërfillja e mamive ndaj grave gjatë lindjes janë pjesë e punës në këtë klinikë.
Gjatë festave të fundvitit ka pasur gra të cilat janë detyruar që për shkak të mosparaqitjes së mjekëve t`i mbajnë në bark foshnjat e vdekura.
Probleme me trajtimin e grave shtatzëna po ashtu paraqiten edhe në rastet kur ato u drejtohen klinikave gjatë fundjavës për shkak të mungesës së mjekëve kujdestarë ose mjekut tek i cili gruaja ka kryer vizitat gjatë shtatzënisë.
\"Kujtojmë sërish rastin e gazetares Salie Gajtani e cila kishte pritur gjashtë orë në sallën e lindjes me ç`rast gati sa u rrezikua jeta saj dhe e fëmijës për shkak se nuk u trajtua me kohë. Vetëm në momentin kur ajo po humbiste vetëdijen i ofrohet infermierja për t`i ofruar ndihmë.\"
\"Nuk janë të rralla rastet kur dy gra e ndajnë të njëjtin shtrat para lindjes dhe gjatë qëndrimit aty ka dëshmi të shumta për mungesë gati totale të barnave. Ndërsa me gratë lehona përveç moskujdesit të duhur mjekësor shumë shpesh kërkon nga vetë ato të kujdesen për higjienën e dhomave.\"
\"Këto raste kanë kaluar çdo kufi dhe cenojnë në plotni misionin, detyrimin profesional e ligjor të Klinikës Obstetrike Gjinekologjike. Ato janë po ashtu një dëshmi e një realiteti të egër me të cilin përballen gratë në shoqërinë tonë pikërisht në momentin kur mbështetja mjekësore dhe shtetërore duhet të jetë në nivelin më të lartë\", thekon me tutje Veteëvendosje.
Komiteti i shëndetësisë i Vetëvendosje!-s i bën me dije publikut se që prej nëntorit 2014 është bllokuar nga Ministria e Shëndetësisë funksionalizimi, pra bartja e kompetencave nga kjo Ministri tek Oda e Profesionistëve Shëndetësorë duke pamundësuar funksionin e Komisionit Etiko-profesional që sipas ligjeve në fuqi është autoriteti që kërkon llogari dhe ndëshkon veprimet në kundërshtim me profesionin dhe misionin të cilitdo punonjës shëndëtësor në sistemin tonë.
\"Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të hapin hetime të përgjithshme për këtë klinikë dhe zyrtarët përgjegjës nga institucionet mbikëqyrëse si dhe i kërkon Komisionit parlamentar të ngrejë një grup punë për të kërkuar llogari Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës\".
\"Por veçanërisht ne i bëjmë thirrje mjekëve dhe infermierëve të përgjegjshëm e të ndershëm t\'i bëjnë publike shkeljet në klinikat ku punojnë. Vetëm të organizuar mund ta ndryshojmë këtë gjendje që thyen dinjitetin e secilës nënë dhe secilën pacientë në Republikën tonë.\"