Vaksinimi zvogëlon 20 herë rrezikun nga koronavirusi
Prishtinë, 8 shtator - “Erdhëm këtu në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës që t’u falënderohemi për punën, përkushtimin dhe kontributin të gjithë të punësuarve të cilët kanë kaluar mbi 500 ditë, duke u angazhuar në mënyrë të pandalshme dhe të palodhshme në ballafaqimin me pandeminë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).
Së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kryeministri Kurti u prit nga drejtori i Institutit, Prof.Dr. Naser Ramadani.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen dhe falënderimin ndaj të gjithë punonjësve të IKShPK-së, profesionistë në krye të detyrës, për angazhimin vetëmohues, në veçanti në këto javët e fundit kur situata është rënduar për shkak të pasojave të gjera e të mëdha të variantit Delta të virusit.
U vizitua qendra operative dhe hapësirat ku në frigoriferë po mbahen mbi 530 mijë vaksina Pfizer në temperaturë -85 gradë celsius, dhe rreth 20 mijë vaksina Astra Zeneca mes 2-8 gradë celsius.
Profesori Ramadani tha se është trefishuar numri i të shëruarve në krahasim me të infektuarit dhe se shkalla e pozitivitetit po shënon rënie.
Megjithatë shifrat vazhdojnë të jenë të larta, sikurse edhe shkalla e vdekshmërisë, prandaj gjatë vizitës u ritheksua rëndësia e vaksinimit, që e zvogëlon 20 herë rrezikun.
“Nuk ka mbrojtje më të mirë se vaksinimi dhe dilema mes përzgjedhjes së vaksinës nuk është dilemë e shëndetshme meqë të dy vaksinat janë të sigurta”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se nevojitet bashkëpunim i mëtejmë që bashkërisht të dalim nga situata e rënduar epidemiologjike.â