Urgjenca përfiton donacion mbi 16 mijë euro nga OBSH
Prishtinë, 11 gusht - Qendra e Urgjencës Mjekësore, e cila funksionon në kuadër të shëndetësisë primare në Komunën e Prishtinës ka përfituar sot një donacion prej 16.491 eurove nga Zyra e OBSH-së në Kosovë.
Ceremonia e dorëzimit të këtyre pajisjeve esenciale për kurset e trajnimit në emergjenca mjekësore, dhe të cilat do të përdoren për aktivitetet trajnuese në të ardhmen, me qëllim të avancimit profesional të punëtorëve shëndetësorë që punojnë në sektorin e emergjencave mjekësore, është mbajtur në këtë qendër, ndërsa përfaqësues të OBSh-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Qeverisë së Luksemburgut, e kanë vlerësuar donacionin si rezultat të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm midis këtyre faktorëve ne shëndetësi dhe të dobishëm për emergjencat mjekësore.
Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se kjo organizatë, në vijim të programeve të saja për asistencë në fushën e shëndetësisë në Kosovë, do të mbështetës edhe më tej avancimin e shërbimeve shëndetësore këtu, duke u krijuar profesionistëve mundësinë që emergjencat mjekësore ti trajtojnë në mënyrat më të avancuara sot.
Dr. Lulzim Çela, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, ka falënderuar donatorët dhe mbështetësit e shëndetësisë kosovare, duke theksuar faktin se pajisjet e reja dhe zhvillimi edhe i kapaciteteve të tjera, do të mundësojnë që të zbatohen objektivat e parashtruar në Strategjinë e zhvillimit të sektorit shëndetësor në Kosovë.
Pierre Weber, përfaqësues i Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë, ka uruar stafin mjekësor të Qendrës së Urgjencës Mjekësore të kryeqytetit dhe ka shprehur besimin për përdorim efikas të donacionit në funksion të përparimit të shëndetit.
Kurse, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Urgjente, dr. Haki Dragusha, ka theksuar se punonjësit e kësaj qendre, që janë 83, do të jene mirënjohës për ndihmën dhe do të punojnë që qytetarët të gëzojnë shërbimet mjekësore që i meritojnë.
Ky donacion me pajisje për trajnim dhe intervenime urgjente para-spitalore është mundësuar në kuadër të projektit Përmirësimi dhe fuqizimi i Shërbimeve Para-spitalore dhe atyre emergjente mjekësore, i financuar nga Qeveria e Luksemburgut.