UNICEF-i dhe OBSH-ja janë shumë të shqetësuara
Prishtinë, 22 prill - UNICEF-i dhe OBSH-ja janë shumë të shqetësuara rreth artikujve të botuar kohët e fundit në të cilët përmendet një lidhje e mundshme mes vaksinave dhe autizmit. UNICEF-i dhe OBSH-ja ritheksojnë se nuk ka absolutisht asnjë dëshmi të ndonjë lidhjeje në mes të vaksinave dhe autizmit apo çrregullimeve të spektrit autistik.
Një studim i vitit 1998 i cili ka bërë një lidhje të mundshme në mes të vaksinës së fruthit-shytave-rubeolës (FShR) dhe autizmit më vonë është kuptuar se ka të meta serioze dhe më pas është diskredituar plotësisht; revista e cila e publikoi studimin e ka tërhequr atë. Që atëherë, studime të shumta kërkimore të kryera në SHBA, Britani të Madhe dhe shumë vende të tjera kanë zbuluar se vaksinat nuk janë të lidhura në asnjë mënyrë me zhvillimin e autizmit ose me çrregullimet e spektrit autistik tek fëmijët. Ngjashëm, nuk është gjetur ndonjë lidhje e mundshme në mes të komponenteve të veçanta të vaksinave të timerosalit ose merkurit ose vaksinave të kombinuara (fruthit, shytave dhe rubeolës ose FShR) dhe autizmit.
Imunizimi është një nga ndërhyrjet më të suksesshme dhe më të përballueshme të shëndetit i cili vazhdon të shpëtojë miliona jetë në mbarë botën çdo vit. Mbrojtja nga sëmundjet që parandalohen me vaksina është e drejtë themelore e çdo fëmije. UNICEF-i dhe OBSH-ja i inkurajojnë gazetarët që të përdorin burime të besueshme të informacionit mbi vaksinat dhe imunizimin për të parandaluar përhapjen e miteve dhe ideve të gabuara në lidhje me imunizimin.