UNFPA shënon 15 vjetorin e punës në Kosovë

Prishtinë, 17 dhjetor - Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashuara (UNFPA), zyra në Kosovë vepron që nga viti 1999.
Përmes programeve të implementuara gjatë këtyre viteve, UNFPA ka kontribuar në përmirësimin e shëndetit antenatal, ofrimin e sigurtë të kujdesit pas lindjes, zhvillimin e kurrikulave dhe trajnimin profesional për personelin mjekësor, si dhe sigurimin e pajisjeve mjekësore
UNFPA ka kontribuar po ashtu në ngritjen e vetëdijes për planifikimin familjar tek të rriturit dhe të rinjtë, ngritjen e ndërgjegjësimit, edukimit dhe këshillimit mbi shëndetin riprodhues dhe parandalimin e përhapjes së infeksioneve seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV-in, sigurimin e çasjes ndaj kontraceptivëve të cilësisë së përballueshme në objektet mjekësore.
Gjithashtu UNFPA ka kontribuar edhe në promovimin e barazisë gjinore, fuqizimin e gruas dhe eliminimin e dhunës me bazë gjinore në të gjitha nivelet, implementimin e hulumtimeve, grumbullimit dhe shpërndarjes së të dhënave të popullsisë, duke avokuar dhe mbështetur qeverinë në zhvillimin e strategjive të popullsisë bazuar në fakte dhe avokimin e politikave për përmirësimin e qeverisjes së sektorit të shëndetësisë për të adresuar më mirë nevojat e shëndetit riprodhues të popullatës.
Me këtë rast, UNFPA në Kosovë, organizon shënimin e punës 15 vjeçare në Kosovë, që do të mbahet sot në Restaurant Bistro nga ora 14:00.
Të ftuar në këtë takim janë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore, profesionistët shëndetsor dhe mediat.