UNFPA ndihmon Klinikën e Gjinekologjisë
Prishtinë, 29 mars - Klinika Obstetrike Gjinekologjike (KOGJ) sot, ka përfituar si donacion një kolposkop, nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsi.
Në ceremoninë e pranimit të kësaj paisje, ishin prezentë përfaqësues të Klinikës së Gjinekologjisë dhe UNFPA-së.
Znj. Zarife Miftari nga UNFPA-ja, theksoi se ky donacion është dhuruar në vazhdën e bashkëpunimit të shkëlqyer që kanë me Klinikën Obstetrike Gjinekologjike.
"Kolposkopi ka kushtuar 6 mijë euro, përderisa përmes tij Klinika do ta ketë më të lehtë të bëjë diagnostikimin e kancerit të hershëm të qafës së mitrës". tha ajo.
Sipas saj, UNDP-ja, ka dhuruar edhe 2 kolposkopë të tjerë, 1 në Spitalin e Pejës dhe 1 në Qendrën për Mirëqenien e Gruas në Prishtinë.
Znj. Miftari, theksoi se vlera e tërësishme e donacionit nga UNPA-ja, është rreth 17 mijë euro. Sipas saj, UNFPA, ka ndihmuar edhe në të kaluarën Klinikën Obstetrike Gjinekologjike dhe të vazhdojë ta ndihmojë edhe në të ardhmen.
Prof.dr. Shefqet Lulaj, Drejtor i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike, theksoi se përmes kolposkopit në fjalë stafit të Klinikës do t'i lehtësohet tej mase puna rreth diagnostikimi të kancerit të hershëm të qafës së mitrës.
"Ne kemi edhe kolposkopë të tjerë në klinikë, por kolposkopi i dhuruar sot është i teknologjisë së fundit dhe mundëson diagnostikimin e hershëm të kancerit në qafën e mitrës" theksoi ai.
Dr. Lulaj, rikujtoi se UNFPA, më herët kishte dhuruar edhe 10 tavolina pune për sallat e operacionit dhe 2 karroca lëvizëse.
UNFPA-ja, në bashkëpunim me ekspertë të onkologjisë gjinekologjike, së shpejti do të mbajë një trajnim për 20 gjinekologë që do të punojnë me kolposkopë, përfshirë edhe mjekët nga rajonet e tjera të Kosovës. Në fund të dy palët u pajtuan që edhe në të ardhmen ta vazhdojnë bashkëpunimin.