25 Dhjetor 2024

UNDP dhe MSH lansojnë dokumentin e veprimit mbi shëndetësinë

Prishtinë, 27 nëntor - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansoi sot Dokumentin e Veprimit mbi Shëndetësinë në Kosovë me temën: “Kënaqshmëria me shërbimet shëndetësore dhe perceptimet mbi praninë e korrupsionit”.

UNDP përmes projektit të tij “Pulsi publik”,  bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë prezantuan sot Dokumentin e Veprimit, i cili trajton perceptimin e pacientëve, të cilët janë trajtuar në institucionet e kujdesit shëndetësor në Kosovë, në lidhje me kënaqshmërinë me shërbimet shëndetësore dhe perceptimet mbi praninë e korrupsionit.

Në prezantimin e këtij dokumenti morën pjesë Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, Znj. Steliana Nedera, Zëvendës-përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, zyrtarë të institucioneve shëndetësore dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare.

Rezultatet e hulumtimit të kryer nga UNDP që kanë dalë prej mostrës prej 1334 pacientëve të anketuar, të cilët janë trajtuar në institucionet e kujdesit shëndetësor, tregojnë se ka një kënaqshmëri të lartë të pacientëve me shërbimet e kujdesit shëndetësor në Kosovë, për faktin se më shumë se 70 për qind e tyre ishin të kënaqur apo shumë të kënaqur me shërbimet, stafin dhe mbështetjen që ata kanë marrë në institucionet e kujdesit shëndetësor.

Në ndërkohë, korrupsioni shfaqet në nivele më të ulëta nga që është raportuar në studimet e tjera, me vetëm 4% të anketuarve të kushtëzuar në vizitën e tyre të fundit.

Rezultatet tregojnë që të anketuarit në përgjithësi janë të kënaqur me shërbimet shëndetësore në Kosovë, pasi që, më shumë se 70 për qind e të anketuarve janë shprehur të kënaqur dhe  shumë të kënaqur me secilin institucion shëndetësor në Kosovës, përfshirë Qendrat e Mjekësisë Familjare, Spitalet Publike, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ofruesit privat të shërbimeve shëndetësore dhe barnatoret.

Kënaqshmëria më e lartë është treguar me shërbimet e QKUK-së. Në këtë qendër, 70 për qind ishin të kënaqur me shërbimet shëndetësore, 19 për qind të pakënaqur derisa 11 për qind shumë të pakënaqur.

Gjithashtu, sipas hulumtimit, 25% e pacientëve të spitaleve si dhe 25% të pacientëve të trajtuar në Qendrat e Mjekësisë Familjare ishin të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me shërbimet e tyre, derisa vetëm 15% e pacientëve të vendosur në klinikat private ishin të pakënaqur.

Në ndërkohë, pacientët që kanë vizituar barnatoret janë shprehur shumë të kënaqur me shërbimet e ofruara (86% të kënaqur apo shumë të kënaqur). Sipas hulumtimit, edhe pse numri i atyre që po kërkonin ndihmë nga ofruesit jo-shëndetësor ishte i ulët, kënaqshmëria e tyre e përgjithshme me shërbimet e ofruara  ishte e lartë (gati 85% të kënaqur).

Sa i përket kënaqshmërisë me nivelin e performancës së institucioneve të Kujdesit shëndetësor, përshtypja e përgjithshme e pacientëve për performancën e institucioneve shëndetësore në Kosovë është e mirë.  Sipas hulumtimit, pacientët kanë vlerësuar lart performancën e secilit institucion të kujdesit shëndetësor.

Sa i përket perceptimeve mbi praninë e korrupsionit (rastet e korrupsionit gjatë vizitave të fundit), në hulumtim theksohet se korrupsioni akoma mbetet sfidë e madhe për institucionet në Kosovë, në veçanti për sektorin shëndetësor. Rëndom, studimet në të kaluarën kanë synuar më shumë të matin perceptimet se sa përvojat e vërteta. Prandaj, për të njohur nivelin e korrupsionit të përjetuar në institucionet e kujdesit shëndetësor në Kosovë, pjesëmarrësve (pacientëve) u është kërkuar të raportojnë nëse kanë hasur në situata ku ofruesit e shërbimeve të kujdesit shëndetësojë kanë kushtëzuar ofrimin e këtyre shërbimeve duke kërkuar ryshfet, dhurata apo ndonjë shërbim tjetër.

Në këtë pyetje, vetëm 52 e të anketuarve apo 4% e mostrës është përgjigjur pozitivisht, dhe kanë raportuar që gjatë vizitës së fundit janë kushtëzuar për të marrë shërbimet e nevojshme shëndetësore. Ndërsa, shumica prej tyre (96%) nuk kanë pasur përvoja të tilla.  

Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë, tha se ky hulumtim ka një rëndësi të veçantë për metodologjinë e përdorur në realizimin e saj dhe gjithashtu edhe për rezultatet të cilat kanë dalë. Ministri tha se rezultatet e dala nga ky hulumtim nuk janë befasuese për të, me që ai ka qenë i bindur edhe para fillimit të hulumtimit se shumica e pacientëve në Kosovë janë të kënaqur me shërbimet shëndetësore që ofrohen në institucionet shëndetësore të Kosovës, sikur që ka qenë i bindur se edhe niveli i korrupsionit është i vogël në këtë sektor, pavarësisht perceptimeve të krijuara te një pjesë e opinionit gabimisht, në bazë të raporteve jo-reale.

“Rezultatet e hulumtimit të UNDP-së, reflektojnë punën e madhe të punëtorëve shëndetësor në rrethana të një nënfinancimi të rëndë dhe si të tilla ato tregojnë gjendjen reale në shëndetësinë kosovare”, tha Ministri Agani. Ky rezultat , shtoi Ministri Agani, është inkurajues për MSh-në në këtë proces të reformave shëndetësore për të kryer intervenimet e duhura aty ku ke nevojë me qëllimin final që pacientëve kosvarë t’u ofrohen shërbime shëndetësore cilësore.

Zonja Steliana Nedera, Zëvendës-përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, tha se përmes këtij hulumtimi UNDP synon të jap një kontribut kritikpër hartimin e politikave adekuate në sektorin e shëndetësisë, që të gjenden mënyrat më adekuate për implementimin e reformave shëndetësore.

Nga të gjeturat e hulumtimit është konkluduar se kënaqshmëria e përgjithshme e pacientëve me institucionet e kujdesit shëndetësor është e mirë, por ka nevojë për përmirësimin e performancës së stafit dhe si përmirësim të aspekteve teknike, derisa rekomandohet që të ndërmerren hapa më serioz për vetëdijesimin e qytetarëve kundër korrupsionit, për faktin se kjo dukuri është e pranishme edhe në sektorin e shëndetësisë.

Drejtues të UNDP-së theksuan faktin se ishte vet Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani ai që kishte shprehur interesim si dhe gatishmëri për të bashkëpunuar dhe për të studiuar më thellë perceptimet e qytetarëve lidhur me dukurinë e korrupsionit tek ofruesit e shërbimeve shëndetësore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)