Ulen rastet me koronavirus në vendet aziatike
Seul, 19 mars - Koreja e Jugut, Kina dhe Singapori janë në mesin e vendeve aziatike që po përballen me valën e dytë të koronavirusit, të shkaktuar nga njerëz që e importojnë atë nga jashtë.
Kina, ku koronavirusi është paraqitur për herë të parë, ka konfirmuar se të mërkurën nuk ka pasur asnjë rast të ri të brendshëm – për herë të parë prejse ka nisur shpërthimi i sëmundjes në dhjetor të vitit të kaluar.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë ka thënë po ashtu se nuk ka asnjë rast të infektimit në Vuhan, qytetin që ka qenë epiqendër e shpërthimit.
Megjithatë, autoritetet kineze kanë raportuar për 34 raste të reja në mesin e njerëzve të kthyer së voni në Kinë.
Singapori po ashtu ka raportuar për 47 raste të reja, prej të cilave 33 janë importuar.
Në Korenë e Jugut ka pasur 152 raste të reja të enjten, edhe pse nuk është e qartë se sa prej tyre janë importuar.
Në Japoni, ndërkaq, janë raportuar vetëm tre raste të reja të mërkurën.
Sipas një vlerësimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, epiqendër e koronavirusit tani është Evropa.
Vendet e goditura më së keqi në këtë kontinent janë Italia dhe Spanja.
Në total, në gjithë botën janë mbi 220,000 raste të konfirmuara me koronavirus dhe mbi 8,800 njerëz të vdekur.