U promovua Udhëzuesi gjithëpërfshirës i kancerit cervikal
Prishtinë, 22 shtator - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) -Zyra në Prishtinë, ka promovuar sot në Prishtinë Udhëzuesin e kësaj organizate për praktikën themelore: Kontrolli gjithëpërfshirës i kancerit cervikal , të përkthyer në gjuhën shqipe.
Promovimi është bërë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), ndërsa krahas zyrtarëve të OBSH-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHP, në promovim ka marrë pjesë edhe Doina Bologna, shefe e operacioneve të UNFPA-së në Kosovë.
Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se udhëzuesi i OBSH-së paracakton procedurat e parandalimit dhe trajtimit të kancerit cervikal, njërës prej formave të kancerit që mund të parandalohet më së lehti, ndërsa promovimi i një udhëzuesi të tillë, theksoi ai, ishte nevojë e kohës duke pasuar parasysh situatën rreth sëmundjes së kancerit në botë dhe në Kosovë.
Skënder Syla, shef i OBSH-së për Kosovë tha se problemi i sëmundjes së kancerit mbetet një nga sfidat kryesore të shëndetit në botë, e në këtë aspekt edhe në Kosovë. Ai numëroi tre elementë kryesorë të cilët janë përfshirë në këtë udhëzues: Koordinimi i shërbimeve të kujdesit për kancerin cervikal, ndarja e përgjegjësive dhe fuqizimi i pacientëve dhe familjeve të tyre për hapa preventiv kundër kësaj sëmundje. Uroj që udhëzuesi të bëhet pjesë e punës tavolinës së punës së secilit mjek, u shpreh Syla.
Curr Gjocaj, drejtor i Departamentit të shërbimeve shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë tha se MSh është e vetëdijshme se sëmundja e kancerit, do të jetë sfidë edhe për vitet që vijnë, sidomos duke pasur parasysh jetën gjithnjë e më industriale. Ministria do të punojë ngusht me partnerët qeveritarë dhe ata joqeveritarë, sektorin privat dhe organizatat profesionale, që në kuadër të politikave të veta, të krijojë infrastrukturën ligjore për hartimin e Programit Nacional për Kontrollin e Kancerit, tha ai.
Doina Bologna (UNFPA), tha se agjencionet e OKB-së po i ndihmojnë institucionet në hartimin e udhëzuesve të këtillë për luftimin e sëmundjes së kancerit, ndërsa theksoi se inicimi dhe zhvillimi i programeve parandaluese për detektimin e hershëm të kancerit ka një rëndësi të jashtëzakonshme për mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës.
Kurse, Sami Uka (OBSH) ka zbërthyer para të pranishmëve qëllimet dhe objektivat e këtij udhëzuesi, nxjerrja e të cilit është ndihmuar edhe nga Qeveria e Luksemburgut, duke theksuar se OBSH i thërret edhe ato vende që akoma nuk i kanë bërë programet efektive, që ti bëjnë ato sipas udhëzimeve që jepen në këtë udhëzues me qëllim që të zvogëlohet barra e rëndë e kësaj sëmundje dhe pasojat e saj.