Turqia premton ta ndihmoj QKU-në në ngritjen profesionale të stafit
Prishtinë, 22 mars - Një delegacion i Universitetit Trakya nga Turqia të cilin e përbënin ekspertë të fushave të ndryshme të shëndetësisë dhe edukimit, ka vizituar të hënën Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Delegacionin turk e priti drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Ali Sadriu me bashkëpunëtorë. Në takim u biseduan mundësitë e bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë, u bisedua në lidhje me ndihmën që mund të japë shtetit turk për specializimin e kuadrove në Kardiokirurgji dhe Onkologji.
Drejtori ekzekutiv i QKUK-së, fillimisht njoftoj zyrtarët turk me punën që po bëhet në QKUK, ndërsa kërkoi ndihmën e tyre për sa i përket trajnimit të stafit për Kardiokirurgji dhe Onkologji, shërbime këto që së shpejti pritet të ofrohen edhe në QKUK.
Zyrtarët e Universitetit Trakya, shprehen gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar QKUK-në, sidomos sa i përket edukimit dhe specializimit të kuadrove. Ata bënë të ditur se deri tani, 50 mjekë nga Kosova kanë qenë për edukim dhe specializim të mëtejmë në Universitetin e Trakyas, ku për së afërmi kanë pasur rastin të shohin se si punohet në këtë Qendër Klinike Universitare.
Ata premtuan se do ndihmojnë dhe përkrahin zhvillimin e Kardiokirurgjisë dhe Onkologjisë kosovare meqë në këto fusha kanë ekspertë me përvoje të gjatë. Po ashtu, premtuan se do të mundësojnë specializimin dhe ngritjen profesionale të kuadrove në këtë lëmi, duke sigurua edhe fjetjen dhe ushqimin për ata punëtorë që shkojnë për specializim.
Zyrtarët turk, thanë se do shqyrtohet mundësia që edhe ekspertët turk nga këto lëmi të vijnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe nga afër të ndihmojnë në mjekimin e rasteve dhe në ngritjen profesionale të stafit.
Delegacioni nga Turqia i kërkoj drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, që së bashku me bashkëpunëtorë të vizitojnë Universitetin e Trakyas, për të parë nga afër se si zhvillohet a puna atje, kurse shpenzimet e vizitës do ti mbulonte Universiteti i Trakyas.
Delegacioni turk, i shoqëruar nga drejtori ekzekutiv dhe bashkëpunëtorët e tij, vizituan hapësirat e Kardiokirurgjisë që ende janë në punim, e po ashtu edhe Institutin e Onkologjisë.