Turqia ndihmon në renovimin e Klinikës Gjinekologjike QKUK-së
Prishtinë, 21 prill - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, bashkë me anëtarët e kabinetit të tij, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Metin Huesrev Uenler, i cili shoqërohej nga shefi i Zyrës së Organizatës qeveritare turke TIKA në Prishtinë, Kursad Mahmat.
Në këtë takim, Ambasadori Uenler i ka shprehur ministrit Bukoshi gatishmërinë e shtetit turk për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë midis dy shteteve në fushën e shëndetësisë dhe në realizimin e projektit të TIKA-s për renovimin e Klinikës Gjinekologjike Obstetrike të QKUK-së, pas miratimit të projektit në shtetin turk.
Ministri Bukoshi ka shprehur falënderimin e tij për përkrahjen e shtetit turk për Kosovën si në fushën politike ashtu edhe në atë të shëndetësisë dhe e ka siguruar Ambasadorin se bashkëpunimi në shëndetësi do ta vazhdojë të intensifikohet në të ardhmen.
Republika e Turqisë është një prej shteteve që e ka ndihmuar shumë shëndetësinë kosovare pas luftës dhe me të cilin shtet Republika e Kosovës ka të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndër shtetërore në shëndetësi.