Turqia ndihmon MPB dhe MSH në luftimin e pandemisë
Prishtinë, 11 gusht - Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë kanë pranuar një donacion nga kompania “Sezin” nga Turqia, me ndihmën e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Kosovë.
Ky donacion nga Turqia përbëhet nga njëqind mijë maska, afro tre mijë mbrojtëse të plastifikuara, si dhe materiale tjera.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z.Yildiray Bajram, i cili e bëri pranimin e këtij donacioni, në emër të MPB-së falënderoi kompaninë “Sezin” dhe z.Murat Atlihan për donacionin e dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës.
Në veçanti, ai falënderoi njërin nga menaxherët e kompanisë “Sezin”, z.Sinan Jëldëz, me prejardhje nga Kosova, pasi që iniciativa për këtë donacion rrjedhë nga ai.
“Kjo edhe njëherë e vë në pah rëndësinë dhe punën që mërgata dhe bashkatdhetarët tanë e zhvillojnë në ndihmë për Republikën e Kosovës, popullit dhe institucioneve të saja në luftën kundër pandemisë”, tha z.Bajram.
Gjithashtu, gjatë kësaj ceremonie u tha se donacioni i pranuar do t’i shërbejë dhe ndihmojë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe agjencive të ndërlidhura me Ministri në kryerjen sa më të mirë dhe më të lehtë të detyrave dhe obligimeve të përditshme.