23 Dhjetor 2024

Truvada, ilaç i ri kundër HIV-it

Washington, 25 korrik - Administrata e Shteteve të Bashkuara për Ilaçet dhe Ushqimet ka miratuar ilaçin Truvada si mjekim të përditshëm për personat e shëndetshëm që duan të ulin rrezikun e prekjes nga virusi HIV që shkakton SIDA-n.

Pas kërkimesh dhe provash klinike për dekada me radhë, Truvada, një ilaç që përdoret përditë nga pacientë me SIDA në vend të ndryshme të botës, tani po u ofrohet edhe personave që duan të ulin shanset e infektimit nga virusi HIV. Këta janë individë të shëndetshëm, por që janë në rrezik të infektohen.

Kali Lindsey punon për Këshillin e SIDA-s ndër Minoritetet Kombëtare: “Përdorimi i Truvadës për të parandaluar infkesionin me HIV, ndryshon plotësisht rrethanat e një personi që nuk është prekur nga virusi. Ky ilaç besoj se do të ngrejë në një nivel të ri përpjekjet kundër SIDA-s”.       
        
Dr. Gottfried Hirnchall është drejtor i programit HIV/SIDA në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë.

“Duhet të gjejmë mënyrat më të mira për ta shfrytëzuar këtë ilaç dhe të identifikojmë popullatat dhe individët që përfitojnë më së miri nga ilaçi”.
        
Në komenetet për Zërin e Amerikës përmes Skype-it, Dr. Hirnchall thotë se ilaçi i ri nuk është zgjidhje për të gjithë: “Të mos harrojmë se kur fillon kurën me këtë ilaç, duhet të marrësh përditë një tabletë. Të mos harrojmë gjithashtu se ka edhe metoda të tjera parandaluese”.
        
Aktivistët kundër Sidës thonë se çiftet në marrëdhënie të stabilizuara, ku njëri nga partnerët është i infektuar me HIV, ndërsa tjetri jo, mund të jenë kandidatët e duhur për ilaçin Truvada.
        
Ky ilaç nuk është i lirë dhe vetëm ata që mund të përballojnë koston e kurës për të gjithë jetën mund të fillojnë në këtë regjim. Ekspertët e SIDA-s paralajmërojnë se ilaçi nuk eliminon nevojën për të përdorur profilaktikë, por është thjesht një masë shtesë.
        
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se do të nxjerrë së shpejti udhëzime për marrjen e këtij ilaçi anti-retroviral nga persona që nuk janë infektuar nga HIV-i dhe që duan të ulin shanset e infektimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)