27 Dhjetor 2024

Thirrje për përdorim racional të antibiotikëve

Prishtinë, 18 nëntor - Me rastin e shënimit të Ditës Evropiane të vetëdijesimit për përdorimin e antibiotikëve,  Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, promovuan rezultatet e hulumtimit ”Konsumi i barnave në Kosovë 2011-2013”, me autor Mr. Ph Arianit Jakupi.

Konsumi i barnave në Kosovë paraqet një analizë e cila për herë të parë botohet në Kosovë, ku përshkruhen në mënyrë të detajuar të dhënat e barnave që janë importuar në Kosovë dhe ato që janë konsumuar nga popullata përgjatë 3 vjetëve të fundit.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Shemsi Veseli, tha se Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikë prej viti në vit po merr karakter global, ndërsa rëndësia e saj ka të bëjë me ndërgjegjësimit e profesionistëve shëndetësor dhe publikut lidhur me përdorimin racional të antibiotikëve.

Veseli tha se megjithëse Kosova radhitet në mesin e vendeve të Evropës që shquhen me përdorim të lartë të antibiotikëve, krahasuar me vendet e BE-së, megjithatë janë arritur rezultate të mira në adresimin e kësaj çështje me krijimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për rezistencën anti-mikrobiale 2011-2015 dhe mekanizmave të tjera për kontrollimin e përdorimit të antibiotikëve.

Dr. Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, tha se hulumtimi i publikuar paraqet një udhërrëfyes të mirë në dizajnimin e politikave të mira në fushën e farmacisë dhe shëndetit publik, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë ka spikatur rëndësinë e përdorimit racionale të antibiotikëve, duke kërkuar nga profesionistët që punojnë në barnatore, që shitjen e antibiotikëve ta bëjnë vetëm përmes përshkrimit mjekësor dhe jot a shndërrojnë në çështje komerciale.

Dr. Lul Raka, përgjegjës i programit nacional për rezistencën anti-mikrobike dhe kontrollin e infeksioneve, në një prezantim të tij lidhur me përdorimin e antibiotikëve në Kosovë, tha se në nivelin kuantitativ të përshkrimit dhe përdorimit të antibiotikëve, Kosova qëndron relativisht mirë, por, brengos fakti për përdorimin e shtuar të antibiotikëve në format parenterale, sidomos ceftriaksonit. Ai tha se në tre vitet e fundit është punuar mjaft në sferën e adresimit të përdorimit të antibiotikëve dhe kontrollin e infeksioneve Brenda spitalore, por mbetet ende shumë hapësirë që të përmirësohen segmente të caktuara rreth përdorimit të këtyre barnave, sidomos në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor. 

Mr. Ariantit Jakupi, U.D. i Kryeshefit Ekzekutiv të AKPM-së dhe autor i hulumtimit, tha se botimi i konsumit të barnave paraqet analizën e disa indikatorëve të cilët kanë të bëjnë me sasinë e tregtuar apo të importuar të barnave të regjistruara si dhe janë bërë edhe krahasimet e shpenzimeve të disa vendeve të ndryshme evropiane.  Metodologjia e përdorur për këtë analize, tha ai,  është ajo e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke përdorur klasifikimin anatomik terapeutik (ATC) dhe dozat e definuara ditore (DDD) për të pasur më të qartë shpenzimet për numër të banorëve edhe analiza e përqindjeve sipas numrit të tyre.

“Kjo analizë ka filluar të bëhet në AKPPM që nga tetori i vitit 2013 dhe për të pasur një saktësi më të madhe të rezultateve, janë marrë referencat nga importi i barnave i viteve 2011,2012 dhe 2013”.

Jakupi u shpreh se kjo analizë i shërben jo vetëm AKPPM-së për analizat e veta të brendshme por është e dobishme edhe për institucionet tjera shëndetësore, në mënyrë që importi të jetë sa më i saktë dhe që të ketë sa më pak produkte të cilave u skadon afati dhe sa më pak mungesa të produkteve për shkak të porosive të ulëta në mungesë të informacionit të saktë zyrtar.“Duke qenë se në Kosovë në maj 2014 ka hyrë në fuqi Ligji 04/L-190, për Produkte dhe Pajisje Medicinale, i cili parasheh edhe nxjerrjen e udhëzimeve administrative në periudhën gjashtë mujore, në mungesë të disa të dhënave, kemi shfrytëzuar të dhënat e importit të cilat I posedon AKPPM me rastin e dhënies së lejeve për import”, u shpreh Jakupi, duke shtuar se hulumtimi  është një bazë e mirë për të pasur një referencë se sa përafërsisht ka import, cilat janë grupet më të mëdha të cilat importohen/konsumohen, dallimin në mes grupeve, me vendet e tjera, etj.

Këndvështrimin e tij për rëndësinë e hulumtimit e shprehu edhe Dr. Shaip Krasniqi, i cili përmes një hulumtimi rreth nivelit të përdorimit të antibiotikëve në Kujdesin Shëndetësor në Kosovë, theksoi rëndësinë e përshkrimit dhe përdorimit racional të antibiotikëve në Kosovë, me qëllim të parandalimit të krijimit të rezistencës mikrobiale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)