Thaçi: Me shëndetësinë do të qeverisë PDK-ja
Prishtinë, 26 maj - Misioni i Ri synon zhvillimin e Kosovës, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Por, pjesë thelbësore e rritjes së mirëqenies është padyshim edhe përkujdesja ndaj shëndetit të popullsisë dhe si dëshmi e rëndësisë, gjatë shpalosjes së Misionit të Ri para shumë mjekëve dhe punëtorëve të shëndetësisë, Thaçi tha se në mandatin e ardhshëm, Ministria e Shëndetësisë do të qeveriset nga vetë PDK-ja. Në fazën e parë të pavarësimit dhe shtetndërtimit, lideri i PDK-së, tha se është dashur që ti përkushtohen ngritjes së infrastrukturës dhe rritjes së motivimit të punonjësve të shëndetësisë, duke siguruar paga sa më të dinjitetshme.
Në fillim të qeverisjes sime, paga e infermierit ishte 156 euro, ndërsa sot është 363 euro, duke shënuar një rritje prej 133 për qind. Paga e mjekëve në vitin 2007 ishte 234 euro, ndërsa në 2014 është 544 euro duke u rritur 132 për qind.
Paga e mjekëve specialistë në vitin 2007 ishte 273 euro, ndërsa në 2014 është 634 euro, duke pësuar gjithashtu një rritje prej 132 për qind, theksoi Thaçi.
Dy misionet e para, misioni i çlirimit dhe ai i shtetndërtimit kishin të bëjnë me shtetin e Kosovës, shtoi Thaçi, ndërsa misioni i ri do të ketë qytetarët në qendër të vëmendjes. Pasi kemi kaluar sfidat e shtetformimit me sukses, ne do ti përkushtohemi tërësisht rritjes së mirëqenies së qytetarëve, duke e bërë shëndetësinë prioritet, tha ai.
Në mandatin e ardhshëm qeverisës, Thaçit potencoi se do ti kushtohet rëndësi e veçantë vazhdimit të reformimit të sistemit shëndetësor, të cilat konsistojnë me riorganizimin e sistemit të shërbimeve shëndetësore dhe me themelimin e sistemit të ri të financimit të shërbimeve shëndetësore.
Do të funksionalizojmë skemën e obligueshme publike të sigurimeve shëndetësore, e cila do të mundësojë zvogëlimin e dukshëm të rrezikut për qytetarët të cilët ballafaqohen me sëmundje dhe çrregullime të rënda shëndetësore. Nga pagesa e sigurimit shëndetësor, ne kemi liruar segmente të margjinalizuar të shoqërisë dhe kategori që e kanë të pamundur që ta paguajnë në mënyrë që të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata në nevojë, të kenë qasje të njëjtë në shërbime shëndetësore cilësore, ka shtuar Thaçi.
Ai gjithashtu tha se përkujdesje e madhe do ti jepet edhe sistemit shëndetësor primarë dhe përkujdesjes ndaj grave shtatëzëna e fëmijëve të vegjël, të cilët janë segmente të shoqërisë më rrezikshmëri më të madhe. Ndërsa, premtoi edhe një fond të specializuar të bursave për studime në fushën e mjeksisë në universitete perëndimore.