Teknologjia shton më shumë ritmet e përmirësimit shëndetësor
Washington, 30 dhjetor - Viti 2012 ishte një vit i suskesshëm lidhur me përmirësimet e kujdesit shëndetësor në të gjithë globin.
Zhvillimet teknologjike luajtën një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
Por 2012 nuk nisi me shpikjen e ndonjë pajisjeje të rëndësishme shkencore, por me festën e ditëlindjes së njërit prej shkencëtarëve më të mëdhenj të botës.
Ai është nderuar nga presidentë dhe admirohet nga familje mbretërore. Të rinj dhe të moshuar dynden për të parë Stephen Hawking, shkencëtarin britanik dhe autorin e librit \"Një histori e shkurtër e kohës\".
Ai ka deshifruar sekretet më të mistershme të universit, por një mister ia ka lënë të tjerëve që ta zgjidhin: Si ka arritur ai vetë të mbijetojë kaq gjatë me sëmundje paralizuese të neuroneve motorike?
Stephen Hawking ka sfiduar të gjitha parashikimet mjekësore. Në janar, me rastin e shtatëdhjetë-vjetorit të lindjes së tij, Universiteti i Kembrixhit hapi dyert e mjediseve të brendshme të tempullit ku punon ekipi i shkencëtarit.
Teknologjia po i ndryshon vazhdimisht aftësitë e mjekësisë. Një kompani në Suedi po zhvillon një teknologji që ndjek shikimin, për ta vënë në dispozicion edhe në tregun e gjerë. Këto pajisje që regjistrojnë, përpunojnë dhe iu përgjigjen lëvizjeve të syve, mund ti japin fund përdorimit të mousit të kompjuterave.
Në muajin mars, Chris James u bë pacienti i parë që provoi syrin bionik, apo syrin artificial. Brenda disa javësh ai mësoi si të shohë përsëri pas dy dekadash verbërie.
Përparimi i tij, është shpresë për miliona njerëz në mbarë botën që vuajnë nga dëmtimi i retinës retinis pigmentosa, një sëmundje e pashërueshme. Megjithëse ai ende nuk shikon normalisht, James thotë se arrin të dallojë konturet e objekteve dhe kjo e ka ndihmuar mjaft.
Në shtator, mjekët në Boston treguan se si mjekësia moderne mund të ndihmojë dhe tu japë shpresë të re amerikanëve të dëmtuar në luftë. Ata përmirësuan teknikat e rritjes në laboratorë të indeve muskulore dhe të disa organeve. Synimi është të pakësohet nevoja për transplantime dhe proteza.
Ju mund të mos e dini, por në Francë, një pikë helmi nga një gjarpër i caktuar, është aq e kushtueshme sa një pikë e parfumeve nga më të mirët. Prodhimi i helmit nga gjarpërinjtë ka rënë ndjeshëm, por nevojat për të po rriten.
Ai shërben jo vetëm si antidotë por kërkuesit thonë se ekziston mundësia që helmi vdekjeprurës të përmbajë në vetvete çelësin e pakësimit të dhimbjeve.
Gjatë muajit tetor, inxhinierë britanikë nxorën në përdorim një dorë protezë që ata thanë se ishte e sofistikuar si shumë prototipa të tjerë, por me një çmim që bën të mundur shitjen në tregun e gjerë.
Kjo protezë është aq e ndjeshme dhe aq e manovrueshme sa mund të lidhë këpucët. Ajo u mirëprit nga familja Swainger dhe pas saj Mike Swainger, arriti të merrte rolin si kuzhinieri i ri i familjes.
Muajin e kaluar zbuluam se Toka e Shenjtë është në krye të kërkimeve shkencore përsa i përket rritjes dhe përdorimit të kanabisit mjekësor.
Kjo industri është zhvilluar shumë vitet e fundit, dhe tani rreth dhjetë mijë pacientë konsumojnë këtë substancë. Kanabisi i rritur këtu përdoret nga pacientë me kancer, Parkinson, sklerozë të shumëfishtë, madje dhe nga pacientët me stresi post-traumatik.