Të largohen testimet për COVID-19 për qarkullim mes të të dy vendeve
Prishtinë, 17 shtator - Largimi i testimeve obligative PCR gjatë qarkullimit me Maqedoninë e Veriut, heqja e kufizimit të orarit në sektorin e gastronomisë, lejimi i punës së restaurantëve që të shfrytëzojnë edhe hapësirën brenda si dhe heqja e kufizimit për ndalimin e aktiviteteve që kërkojnë grumbullimin e më shumë se 5 personave, veçanarisht, për bizneset, ishin temë e diskutimit gjatë takimit të organizuar në mes të Odës së Afarizmit të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore me Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj.
Përgjatë këtij takimi Oda e Afarizimit të Kosovës (OAK) ka kërkuar heqjen e testeve obligative për kalimin në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për arsye se vendosja e tyre është duke e penguar shumë qarkullimin dhe bashkëpunimin në mes këtyre dy vendeve. Veçanërisht, kjo është duke paraqitur problem për lëvizjen e punëtorëve nga Kosova për në Maqedoni dhe anasjelltas të cilët punojnë në fabrikat e të dy vendeve.
Kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi ka theksuar faktin se kjo është një paradox në vete kur dihet se ne nuk kemi një kufizim të tillë me Shqipërinë, e as Maqedonia me Shqipërinë. Përderisa, ky kufizimin është duke krijuar shumë probleme në qarkullim.
OAK ka transmetuar edhe kërkesën tjetër të bizneseve tek MSH, e cila ka të bëjë me largimin urgjent të kufizimit të orarit deri në orën 22:30, sigurisht, duke rritur kontrollin, respektimin e masave të mbrojtjes së shëndetit dhe distancave, mirëpo, kufizimet të largohen për shkak të lehtësimit të lëvizjeve të lira të qytetarëve dhe funksionimit të bizneseve.
Kjo duhet të mirret parasysh veçanërisht kur dihet se sektori Horeca është në gjendje shumë të vështirë financiare dhe ky kufizim është duke e dëmtuar edhe më shumë atë. Sidomos, tani kur jemi në prag të stinës së vjeshtës, funksionimi vetëm në hapësirat e jashtme do të jetë i pamundur për shkak të ndryshimit të temperaturave.
Kurse nga ana tjetër, si pasojë e pandemisë shumë biznese janë buzë falimentimit, gjë që nënkupton se domosdoshmërisht numri i punëtorëve do të zvogëlohet drastikisht pasiqë, bizneset nuk kanë si të paguajnë ata. Ani pse edhe në këtë rast bizneset po dëmtohen duke marrë parasysh faktin se kanë investuar në trajnimin dhe profesionalizimin e stafit të tyre.
Kërkesë tjetër e OAK-së, ishte edhe heqja e kufizimit që ndalon grumbullimin e më shumë se pesë personave, ku kjo po ndikon në pezullimin e shumë aktiviteteve biznesore. OAK i është drejtuar edhe Qeverisë, për largimin e pikës 15 të vendimit të mbledhjes së nëntë, ku thuhet se nëse një person identifikohet se është pozitiv me Covid-19, duhet të izolohen të gjithë punëtorët e atij sektori, meqërast për bizneset kjo është pothuajse e pamundur.
Përderisa, Kryetari i OEMVP-së Nehbi Hoxha ritheksoi faktin se vendosja e PCR testit obligativ mes dy vendeve tona është paradoksale dhe po krijon bllokada. “Ne kemi shumë biznese me punëtorë nga të dy vendet dhe me këtë rast po paraqitet problemi i lëvizjes së punëtorëve”, shtoi Hoxha. Kjo ka bërë që kostoja e udhëtimit të rritet dhe njëkohësisht ka ndikuar shumë në kapacitetin prodhues të kompanive në Maqedoni.
Ndërsa, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se janë duke rivlerësuar masat e ndërmarra dhe duke rishikuar mundësitë për largimin e kufizimit të lëvizjes, kthimit të orarit të më hershëm të punës, por vetëm me rritjen e masave mbrojtëse dhe kontrollave. Një gjë e tillë, do të bëhet pas rivlerësimit të situatës, në vend ritheksoi Zemaj.
Në këtë takim OAK u përfaqësua nga Skënder Krasniqi-kryetar i bordit, Arsim Selmonmusaj nënkryetar i bordit, Nebi Hoxha- kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri - Perëndimore, Qëndresa Ibrahimi- koordinatore dhe Fjolla Smaili- zyrtare për marrëdhënie me publikun.