Të enjten mbahen zgjedhjet për Odën e Mjekëve të Kosovës
Prishtinë, 16 tetor - Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, nesër, në 63 njësi zgjedhore në institucionet publike shëndetësore të vendit do të mbahen zgjedhjet për Odën e Mjekëve të Kosovës, institucion ky që do të krijohet në bazë të Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, të miratuar më 30 maj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Në një konferencë për media, të mbajtur sot në Ministrinë e Shëndetësisë, zyrtarët më të lartë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Odat e Mjekëve të Kosovës u kanë bërë thirrje 4200 mjekëve të licencuar që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre më të denjë për organet e Odës së Mjekëve të Kosovës, si institucion që do të përfaqësojë interesat e komunitetit mjekësor në Kosovë dhe që do të ushtrojë një varg përgjegjësish bazuar në Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor , të cilat deri më tani janë udhëhequr nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Dr. Gani Shabani, U.D. Sekretar i Përgjithshëm në MSh e vlerësoi si ditë historike për shëndetësinë kosovare ditën e nesërme, ka përgëzuar KQZ-në për përgatitjet e mira për këto zgjedhje dhe ka apeluar te mjekët kosovarë që të dalin në këto zgjedhje për të votuar në mënyrë dinjitoze dhe për të marrë përgjegjësitë të cilat do ti ushtrojnë në të ardhmen si komunitet shëndetësor.
Prof. Dr. Hysni Bajrami, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor tha se përgatitjet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve kanë qenë mjaft të mira, të suksesshme dhe gjithëpërfshirëse.
Ai bëri të ditur para mediave për formimin e njësive zgjedhore në të gjitha institucionet, formimin e komisioneve zgjedhore, certifikimin e e listave të votuesve, të kandidatëve garues në zgjedhje dhe janë kryer të gjitha procedurat e tjera administrative rreth këtij procesi, me qëllim që zgjedhjet të jenë të suksesshme.
4200 mjekë të licencuar në Republikën e Kosovës kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje në votimet që organizohen në 62 vendvotime dhe falë përgatitjeve të mira, kemi krijuar mekanizma të tillë që askush të mos mund të ndikojë në procesin zgjedhor dhe ai të jetë sa më transparent. Krejt zgjedhjet varen nga mjekët dhe teoritikisht nuk ka mundësi që të ndikohet nga jashtë në këto zgjedhje, tha Bajrami.
Prof. Dr. Isuf Dedushaj, nga KQZ për Odën e Mjekëve të Kosovës ka thënë se ky është një moment historik për shëndetësinë kosovare dhe se, me këto zgjedhje, mjekët në Kosovë e kanë rastin që ti zgjedhin përfaqësuesit e tyre më të mirë për ti ushtruar ato përgjegjësi të cilat Oda i ka në bazë të ligjit.
Në këtë konferencë për media, u bë e ditur se hapja e vendvotimeve do të bëhet në ora 08:00, vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 18:00 dhe tre orë pas mbylljes së vendvotimeve, do të jenë gati rezultatet për njësitë votuese, derisa procesi i certifikimit të rezultateve do të kryhet brenda pak ditëve.
Pas mbarimit të zgjedhjeve, Oda e Mjekeve do të konstituohet më 10 nëntor me Kuvendin e saj, pas të cilit do të zgjidhen organet e tjera siç janë: Kryetari, Këshilli Drejtues, Këshilli Mbikëqyrës për buxhet dhe financa, Këshilli Etik, Gjyqi i nderit, Prokurori i Odës dhe Komisionet e përhershme të Odës.
Me Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, në bazë të cilit themelohet Oda e Mjekëve të Kosovës, si organ i pavarur që mbron dhe prezanton interesat profesionale të anëtarëve të saj, përgjegjësi të tjera të këtij institucioni ndër të tjera do të jenë edhe: miratimi i Kodit të Etikës profesionale, lëshimi i licencave, ri-licencimi dhe revokimi i tyre, mbikëqyrja profesionale dhe ligjore e profesionistëve shëndetësor, planifikimi dhe zbatimi i edukimit të vazhduar profesional, verifikimi i ligjshmërisë së procesit të specializimeve, organizimi i provimit specialistik dhe mbikëqyrja e sub-specializimeve, krijon dhe menaxhon Fondin e Odës, etj.
Anëtarë të Odës së Mjekëve të Kosovës, e cila në Republikën e Kosovës po krijohet për herë të parë, kanë të drejtë të zgjidhen të gjithë doktorët e mjekësisë, që janë të licencuar në Republikën e Kosovës.