Takohet Këshilli Ndërministror për Kontrollin e Duhanit
Prishtinë, 5 nëntor - Kryesuar nga Ministri Ferid Agani, në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt sot takimi i Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit.
Në këtë takim, u raportua dhe u diskutua për ecurinë gati tetëmbëdhjetë mujore të zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, i cili hyri në fuqi më 22 maj të vitit 2013.
Në këtë takim u theksuar fakti se përkundër shkeljeve të ligjit nga subjekte dhe individë të ndryshëm, është inkurajues fakti që gjykatat në Kosovë kanë filluar të shqiptojnë dënimet për rastet e dërguara në gjykata nga inspektoratet dhe vetëm ditët e fundit, gjykatat kanë dënuar me nga 500 euro pesë subjekte të ndryshme afariste për shkelje të Ligjit për Kontrollit të duhanit, derisa për ditët në vijim, janë konfirmuar seancat në të cilat do të shqyrtohen edhe disa lëndë të tjera të dërguar nga Inspektoratet.
Inspektorati Sanitar raportoi se vetëm në dy javët e fundit janë kryer 150 inspektime, derisa gjatë ditës së sotme inspektimet kanë vazhduar në komunat Suharekë, Malishevë dhe Rahovec.
Gjatë ditëve të ardhshme, u paralajmëruan inspektime të shoqëruara me përkrahjen e Policisë në lokalet e ndryshme në të cilat ligji shkelet sidomos në orët e vona.
Në këtë takim për inspektimet dhe punën e tyre kanë raportuar edhe Inspektorati Shëndetësor, i cili ka kryer 426 inspektime , prej të cilave 49 tematike, si dhe subjektet të tjera qeveritare, sikurse edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku ndër të tjera përfaqësuesit e KADC-së, kanë prezantuar të dhënat preliminare nga monitorimi i zbatimit të ligjit në 7 rajone të Kosovës, në rreth 700 objekte dhe subjekte të ndryshme. Rezultatet e këtij hulumtimi, u bë e ditur se do të prezantohen ditët në vijim për publikun.
Në këtë takim, gjithashtu, janë përcaktuar edhe një sërë veprimesh nga subjekte të ndryshme qeveritarë dhe jo-qeveritarë që do të ndërmerren në vijim, me qëllim që zbatimi i ligjit të fuqizohet, ndërsa shkelësit të dërgohen në gjykata, veprimet e të cilave së fundi, u vlerësuan inkurajuese në ndëshkimin e shkelësve të ligjit.
Anëtarët e Këshillit kanë kërkuar nga subjektet zbatuese të këtij ligji që të vazhdohet me masa të edukimit publik, përforcim të inspektimeve dhe vizitave monitoruese, përfundimin e akteve nënligjore dhe shqiptim të dënimeve për shkelësit e ligjit.