28 Dhjetor 2024

Studim i ri për trajtimin e kancerit të gjirit

Washington, 10 prill - Një studim i ri mund të ndryshojë mënyrën e trajtimit të kancerit të gjirit. Gjetjet mund ta bëjnë trajtimin më të suksesshëm dhe mund të zgjasin jetën e pacientëve me kancer gjiri.

Kur Shante Thomas u diagnostikua për herë të parë me fazën e dytë të kancerit të gjirit, ajo ishte tërësisht e befasuar.

\"Gjëja e parë që mendoni është se a do të vdisni\", thotë ajo.

Përmes trajtimit të duhur, shumë gra mund ta mposhtin sëmundjen. Por, është e vështirë për mjekët të zgjedhin një nga më shumë se 50 ilaçet, që mund të jenë të efektshme për trajtimin e një pacienti të caktuar.

Problemi tjetër është se ilaçet për trajtimin e kancerit janë shumë  toksike, dhe ato vrasin qelizat e shëndetshme, së bashku me ato kanceroze.

Tani, zgjedhja e ilaçit të duhur bëhet me hamendje. Por nuk mund të jetë kështu gjithmonë.

Studiuesit në Universitetin e Vanderbiltit janë duke përdorur lazerë për të studiuar grimcat e tumorit të quajtura \"organoide\".

Alex Walsh foli për Zërin e Amerikës me Skype.

\"Organoidet janë pjesë të vogla të tumorit që ne i kultivojmë në enë të vogla qelizash, dhe kanë një diametër rreth 100 deri 300 mikrometra\".

Ato janë mikroskopike. Kur u jepet një xhel kolagjeni, qelizat e kancerit rriten ashtu si ato që ndodhen brenda trupit të njeriut. Ato janë fluoreshente. Kështu që, kur studiuesit i shtojnë një ilaç për të luftuar kancerin ata mund të tregojnë se si po funksionon ilaçi duke matur sasinë e ndriçimit të fluoreshentit.

Profesorja Melissa Skala është nja nga studiueset e këtij projekti.

\"Ideja jonë ishte që të përpiqemi të eliminojmë toksinën nga trajtimet jo efektive dhe pastaj të përdorim ilaçet që janë më të efektshme në trajtimin e kancerit të gjirit\".

Ajo thotë se synimi i studimit është përmirësimi i mbijetesës së pacientëve me kancer të gjirit.

\"Ne e dimë se shumë pacientë të prekur nga kanceri i gjirit në fillim i përgjigjen terapive dhe pastaj më vonë, tumori i tyre fillon të rritet dhe ata dorëzohen para sëmundjes\".

Zonja Skala thotë se hapi tjetër është identifikimi me saktësi se cili ilaç do të mund të jetë i efektshëm për pacientin para se të fillojë trajtimi i tyre.

Shpresa është që ky lloj i terapisë të jetë në dispozicion të pacientëve të kancerit të gjirit brenda pesë deri 10 vjetësh. Pastaj, pacientët si Shante Thomas nuk do të mendojnë automatikisht se diagnostikimi me kancer të gjirit është një dënim me vdekje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)