Studim i ri për kurimin e grave me HIV
Washington, 10 korrik - Një studim i ri tregon se kombinimi i ilaçeve jo të shtrenjta antiretrovirale mund të jetë shumë efektiv në kurimin e grave me virusin HIV në vendet në zhvillim.
Në fakt, studimi i ri tregon se kjo kurë është po aq e efektshme sa edhe një kombinim ilaçesh shumë më të shtrenjta. Megjithatë studimi tregon gjithashtu se ilaçet më të lira bartin një rrezik më të madh për efekte anësore.
Kurat me ilaçe antiretrovirale kanë provuar të jenë të efektshme në parandalimin e përhapjes së SIDA-s dhe në shpëtimin e jetës së njerëzve. Ilaçet kanë ndryshuar prognozën e sëmundjes nga një sëmundje vdekjeprurëse, brënda një periudhe 10 vjeçare, në një sëmundje kronike.
Në vitin 2010, Organizata Botërore e Shëndetsisë rekomandoi që kurat për gratë e prehura nga virusi HIV në zona të varfëra të përfshijnë ilaçin navirapin. Ky ilaç nuk kushton shumë dhe shpesh përdoret në parandalimin e kalimit të virusit nga nëna tek foshnja e posalindur.
Studimi i kryer në spitalin Brigham dhe Gratë në Boston tregon se ilaçi navirapin i kombinuar me ilaçe të tjera antiretrovirale është po aq i efekshëm sa edhe një kombnim tjetër shumë më i shtrenjtë.
Dr. Shahin Lockman kryesoi studimin me 500 gra afrikane të prekura nga HIV-i në faza të avancuara. Ajo është profesore në fakultetin e mjeksisë të universitetit Harvard. Ajo thotë se studimi për kombinimin e ilaçeve të tjera me ilaçin navirapin shqyrtoi mundësinë e rezistencës së mundshme të ilaçit. Dihet se kur navirapina u jepet grave jo si pjesë e një kombinimi, trupi mund të zhvillojë rezistencë.
Shumë gra diagnostikohen me HIV dhe i nënshtrohen kurave kur janë shtatzanë. Atyre u ofrohen një ose dy ilaçe antiretrovirale për të parandaluar kalimin e HIV-it tek bebja. Këto ilaçe, veçanërisht një dozë e vetme e ilaçit navirapin, që gruas i jepet gjatë lindjes dhe një doze i jepet bebes, janë disi të efektshme në parandalimin e kalimit të virusit tek foshnja, por lënë 75 për qind të grave me virus, që i reziston ilaçeve.
Shtrohet pyetja: A u krijua e njëjta rezistencë ilaçesh ndaj ilaçit navirapin kur u përsdor në kombinim me ilaçe të tjera antiretrovirale? Përgjigja është, jo, por pati edhe lajme të tjera të mira.
Mes grave që nuk kishin marrë doza të vetme të ilaçit navirapin, rreth 83 për qind e tyre arritën të parandalonin avancimin e virusit dhe të jetonin mirë pasi morën ilaçin navirapin të kombinuar me ilaçe të tjera. Dhe po ta krahasojmë këtë kurë me kurat që kemi në Shtetet e Bashkuara, ku shkalla e suksesit është 90 deri në 95 për qind, 83 për qind nuk është e përsosur, por është një arritje mjaft e mirë.
Por ana negative e kurës së kombinuar me ilaçin ka të bëjë me efektet anëasore.
Një përqindje e konsiderueshme e pacienteve, rreth 14 për qind e grave, u detyruan të ndalonin kurën për shkak të efektit toksik.
Navirapin mund të jetë teksike për mëlçinë dhe lëkurën. Profesorja Lockman thotë se nëse kura nuk ndalet menjëherë pas shfaqjes së simptomave, grate mund të zhvillojnë një reaksion të ndjeshëm ndaj ilaçeve, që rrezikon edhe jetën.
Gratë pjesëmarrëse në studim u mbikqyrën me kujdes dhe iu dhanë ilaçe të tjera në rast nevoje. Por gratë në kushte të tjera mund të vihen në rrezik. Disa prej tyre mund të ndalojnë kurën dhe pa të, thotë profesorja Lockman, ato do të vdesin.
Ne me të vërtetë duhet të përpiqemi të gjejmë kura më të sigurta dhe më të efekshme në mënyrë që edhe kur pacientet kanë në dispozicion një ose dy kura shumica e tyre, që e fillojnë një kurë mund ta vazhdojnë atë pa pasur frikën e efekteve të rrezikshme anësore.
Profesorja Lockman përllogarit se miliona gra kanë nevojë për kura të tilla. Ajo thotë se plani emergjent i presidentit për ndihmë tek SIDA dhe Nisma Globale Clinton janë disa prej përpjekjeve më të mira për të arritur këtë objektiv. Studimi u financua pjesërisht nga Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Alergjike dhe Infektive dhe nga Qendra Kombëtare e Kërkimeve.