Spitalet private tash trajtojnë rastet që trajtoheshin jashtë
Prishtinë, 18 janar - Drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës kanë zhvilluar sot një takim në Ministri me drejtorët e Spitaleve private të Kosovës, në të cilin është diskutuar për modalitetet e trajtimit të pacientëve kosovarë në këto spitale, për ato shërbime shëndetësore që nuk ofrohen në sektorin publik, e për të cilat deri tash, pacientët kosovarë janë dërguar për trajtim jashtë vendit.
Dr. Ilir Tolaj, Sekretar Permanent i MSh-së, i ka njoftuar drejtuesit e spitaleve private në Kosovë, se pas miratimit të Udhëzimit Administrativ nr. 03/2010 -Programi për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, Ministria e Shëndetësisë ka krijuar kushtet ligjore që një numër i madh i pacientëve të cilët nuk mund të marrin shërbime të caktuara shëndetësore në institucionet publike të vendit, tashmë do ta kenë këtë mundësi që ato shërbime ti marrin në institucionet private shëndetësore, të licencuara nga ana e Ministrisë, kryesisht nga lëmitë deficitare si Kardiologjia invazive, Kardio-kirurgjia, Radio-onkologjia, disa shërbime nga Oftalmologjia, Ortopedia, Gjinekologjia, etj.
Paraprakisht, dr. Tolaj, ka thënë se spitalet private duhet të ofrojnë listën e shërbimeve që ofrojnë (ato që nuk ofrohen në sektorin publik), e cila do të analizohet nga Ministria, pastaj çmimet e shërbimeve, të cilat MSh pret të jenë më të lira se në vendet jashtë Kosovës, të garantojnë kualitetin e materialeve mjekësore me të cilat do të punohet si dhe të sigurohet një qasje uniforme, e cila do tu mundësojë të gjitha spitaleve private që të kenë qasje në këtë program, por duke i siguruar pacientëve atë që ua garanton Ligji për Shëndetësinë, që ata vet ta zgjedhin spitalin në të cilin do të trajtohen, brenda limiteve financiare të cilat Ministria mund ti mbulojë.
Dr. Tolaj ka thënë se kjo nuk do të thotë se të gjithë pacientët do të ndalen në vend për trajtim, sepse një numër do të duhet edhe më tej të trajtohen jashtë vendit, por ideja është që shumica të ndalen në vend për mjekim, duke siguruar në të njëjtën kohë shërbimin kualitativ, konkurrencë të shëndoshë midis sistemit publik dhe atij privat dhe numër më të madh të shërbimeve për pacientët kosovarë brenda vendit.
Ky plan i MSH-së është vlerësuar si shumë i qëlluar dhe është mbështetur nga drejtuesit e spitaleve private, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Ministrinë, duke siguruar se do ta kenë parasysh edhe komponentin social që në raste të caktuara, rasteve të ndryshme, tu mundësohet pacientëve trajtimi edhe falas.
Pritet që disa detaje teknike rreth listës së shërbimeve e çmimeve të kryhen deri në fund të muajit, ashtu që sa më parë që të jetë e mundur, Programi për Trajtimin Mjekësor jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike të nis zbatimin e tij në Kosovë.