Sot, u shënua “Dita e Shëndetësisë” në Kryeqytet
Prishtinë, 21 qershor - Me rastin e shënimit të “Ditës së Shëndetësisë” së Kryeqytetit, Drejtoria e Shëndetësisë, organizoj sot, një sërë aktivitetesh me qëllim të kthimit të memories institucionale dhe shoqërore, zhvillimin e shëndetësisë në Kryeqytet, si dhe promovimin e rëndësisë së shëndetit për qytetarët e Prishtinës.
Ndër aktivitetet e para, sipas agjendës, ishte Vizita në Shkollën e Mesme të Ulët "Meto Bajraktari", aktivitet ky i dedikuar për shkollaret të cilëve pas ndërprerjes dy vjeçare të vizitave sistematike shëndetësore, ju rikthyen vizitat për florizimin e dhëmbëve me ç’ rast u promovua rëndësia e shëndetit oral tek nxënësit, ku bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë z. Izet Sadiku, e pranishme në ngjarje ishte edhe Drejtorja e Arsimit znj. Besianë Musmurati.
Aktivitet tjetër i organizuar nga Drejtoria e shëndetësisë në bashkëpunim me QKMF dhe QMU ishte dhe “Aktiviteti me Qytetarë” në qendër të Kryeqytetit në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku para kalimtarëve u demonstruan shërbimet e ndryshme shëndetësore, si dhe mënyra të ndryshme të ruajtjes së shëndetit.
Shënimi i ditës së shëndetësisë, u përmbyll me aktivitetin “Manifestimi për Shëndetësi”, ngjarje kjo që përkujtoj dhe nderoj kontributin e mantel bardhëve të sistemit shëndetësor përgjatë viteve të 90-ta me ç’ rast Drejtori i Shëndetësisë, në një fjalë rasti përshkroi kronologjinë e zhvillimit të shëndetësisë primare në Prishtinë para dhe pas luftës dhe gjatë periudhës se Covid– 19.
Kryetari Rama, ndau mirënjohje për kontribut dhënësit, ish- drejtorët e institucioneve shëndetësore të Kryeqytetit si dhe në një fjalë rasti, i njoftoj pjesëmarrësit që gjatë kësaj jave, për herë të parë në Prishtinë, do të bëhet “Shpalosja e Planit të Fizibilitetit të Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës” si pikënisje për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Kryeqytetit.