Sot shënohet Dita Botërore e Shëndetësisë
Prishtinë, 7 prill - 7 Prilli - Dita Botërore e Shëndetit është një forum për informim dhe diskutim rreth shëndetit në botë.
Festohet në Kosovë njësoj si në 193 vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Caktimi i ditës Botërore të Shëndetit ishte një nga aktet e para zyrtare të OBSH-së.
Kjo ditë sivjet i është përkushtuar parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve që përhapen përmes vektorëve (bartësve).
Me qëllim të shënimit të kësaj dite, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në bashkëpunim me Komunën e Malishevës organizojnë shënimin e kësaj dite në mënyrë simbolike në Malishevë, duke trajtuar çështjen e Etheve Hemorragjike Krime -Kongo.
Shënimi i kësaj dite do të bëhet sot, duke filluar nga ora 11:00 në ndërtesën e Kuvendit Komunal në Malishevë.
Pjesëmarrës në këtë shënim do të jenë zyrtarë të MSH-së, IKSHP-së, QKUK-së, spitaleve rajonale, anëtarët e Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike, autoritetet lokale të komunave që shquhen me më shumë raste të EHKK, mediat, etj.