Sot shënohet Dita Botërore e HIV/AIDS

Prishtinë, 1 dhjetor - Data 1 dhjetor është Dita Botërore e AIDS e cila në shumë pjesë të Botës shënohet duke dhënë informata dhe biseduar për këtë sëmundje.
Arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë Botën, e gjithashtu edhe në Kosovë është thirrja për aksion për të gjithë ata që me kontributin e tyre do te përkrahin luftën kundër HIV/AIDS.
Me qëllim të shënimit të kësaj dite, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, Njësia Menaxhuese e Projektit të Fondit Global me aktivitetet e tyre do ta shënojnë sot Ditën Botërore të HIV/AIDS në të gjitha qendrat Rajonale të Kosovës.
Për këtë qëllim janë organizuar aktivitete të shumta, duke filluar nga ligjërata nëpër shkolla të mesme dhe shpërndarja e fletëpalosjeve.
Po ashtu edhe organizatat KOPF dhe INTEGRA do të organizojnë aktivitete të ndryshme për shënimin e 1 Dhjetorit - Ditës Botërore të HIV/AIDS.
Numri i të infektuarve me HIV në botë është rreth 36.7 milion prej tyre femra 17.8 milion.
Rreth 1.8 milion milion janë fëmijë nën moshën 15 vjeçare. Te vdekur 1.1 milion. Çdo minutë me HIV infektohet nga një fëmijë.
Në Kosovë numri i të infektuarve është 110 raste me HIVdhe AIDS (43 HIV, 67 AIDS), ndërsa numri i të vdekurve 45.