Sot nisë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit
Prishtinë, 12 maj - Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga sot do të nisë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit.
Në komunikatën për media thuhet se prioritet në imunizim do të kenë personat që janë regjistruar për vaksinim në platformën online e-kosova.
Sipas planit shtetëror, vaksinimi në Kosovë është ndarë në tri faza.
Personat 65-79 vjeç bëjnë pjesë në fazën e dytë, ashtu si edhe mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë, të përfshira në menaxhimin e pandemisë.
Në fazën e parë, që ka nisur në fund të marsit, janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe personat me sëmundje kronike.
Në fazën e tretë, ndërkaq, pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë së Kosovës.
Kosova ka marrë dozat e para të vaksinës AstraZeneca - 24,000 sosh - në fund të marsit, përmes programit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Këtë javë dhe javën e kaluar, vendi ka pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.
BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka thënë se sot po ashtu do të pranojë edhe 38,400 vaksina të tjera përmes programit Covax.