Sot fillon Kongresi i Farmacisë
Prishtinë, 23 prill - Nën patronatin e Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Shoqata Farmaceutike e Kosovës (SHFK), në bashkëpunim me Agjencionin Kosovar për Produkte Mjekësore (AKPM), sot dhe të nesër, në Prishtinë, do të mbahet Kongresi i Parë i Farmacisë me pjesëmarrje të farmacistëve ndërkombëtarë.
Me temë qendrore: Trendet Farmaceutike Evropiane, kongresi synon të sjellë përvojat e vendeve të rajonit, Evropës dhe të disa vendeve botërore në lëminë e farmacisë, ndërsa prezantimet që do të bëhen, kanë të bëjnë me rregullativën e barnave, praktikën e mirë të prodhimit të barnave, autorizim-marketingun, farmako-ekonominë, farmacinë klinike, regjistrimin e barnave, përdorimin racional të tyre, trendet e reja në farmaci, etj.
Punimet që do të prezantohen gjatë dy ditëve në Kongresin e Farmacisë, paraprakisht i janë nënshtruar një vlerësimi të Këshillit Profesional Shkencor, i përbërë nga ndërkombëtarë dhe vendorë.
Kongresi që pritet të sjellë në Prishtinë ekspertë të lëmisë së farmacisë, përveç nga vendet e rajonit, Evropës e Amerikës, synon që të bëhet tradicional dhe të mbahet çdo vit.
Kongresi fillon sot nga ora 09:00, në hotelin Grand në Prishtinë.