Shtyhet konfirmimi në rastin Medicus
Prishtinë, 21 janar - Afati i fundit për konfirmimin e aktakuzës lidhur me një rrjet të dyshuar për trafikim me organe të njerëzve, i njohur ndryshe si rasti Medicus, do të jetë 5 shkurti i këtij viti. Edhe pse ishte i parashikuar që sot të merret vesh për procedimin e mëtejmë të rastit, procedura thuhet se është shtyrë edhe për 15 ditë të tjera.
Zëdhënësja e komponetit të drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, i tha Radios Evropa e Lirë se shtyrja e afatit për konfirmimin e aktakuzës është bërë për shkak të ndërlikueshmërisë së rastit.
Gjykatësit i duhen 15 ditë shtesë për të vendosur lidhur me rastin Medicus, sepse rasti konsiderohet të jetë kompleks dhe voluminoz, e që përfshin një numër të të pandehurve, njoftoi ajo.
Seanca dëgjimore për konfirmimin e aktakuzave të ngritura për shtatë shtetasit e Kosovës, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme të trafikimit me organe, u mbajt më 6 janar.
Kohë më parë, në Stamboll u arrestua Jusuf Sonmez - një nga personat që dyshohet të jetë i përfshirë në rastin Medicus, mirëpo autoritetet turke ende nuk kanë vendosur për ekstradimin e tij eventual në Kosovë.
Turqia nuk i ekstradon qytetarët e saj, por ofron dëshmitë e shtetasve të saj për drejtësitë e vendeve të tjera, bazuar në vlerësimin e secilit rast.