SHSKUK kërkon përkrahje nga pacientët për luftimin e korrupsionit

Prishtinë, 3 nëntor - Menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, është i vendosur të luftojë dukuritë korruptive në njësitë përbërëse, andaj është e nevojshme dhe e domosdoshme përkrahja e medieve dhe pacientëve që mjekohen në njësitë përbërëse të SHSKUK-së.
Pas kronikës televizive të transmetuar në njërën nga televizionet nacionale, ku në fokus ishte Klinika Obstetrike Gjinekologjike, menaxhmenti i SHSKUK-së, ka reaguar menjëherë.
Drejtori i SHSKUK-së, ka kërkuar nga Drejtoresha e Klinikës Obstetrike Gjinekologjike, në mënyrë urgjente të ndërmarrë masa ndaj rastit në fjalë, duke u bazuar në ligjet në fuqi, po ashtu nga menaxherët e njësive tjera organizative të SHSKUK, ka kërkuara veprime konkrete.
Është kërkuar të obligohet stafi të jetë shumë më i kujdesshëm në raport me pacientët, sidomos gjatë komunikimit, i cili në video shihet se nuk është në nivelin e dëshiruar.
Shqetësues për SHSKUK është edhe fakti se pacientet mes tjerash deklarojnë se kanë dhënë mito për të hyrë në operacion. Menaxhmenti ka shpërndarë një qarkore obliguese për të gjitha njësitë përbërëse, duke obliguar drejtorët të përcjellin direkt punën që bëhet në shërbimet e institucionit me të cilin menaxhojnë, duke mos lejuar hapësirë për akte të tilla.
Në rastet kur eventualisht mund të vërehen akte korruptive, reagimi i drejtorëve do të jetë i menjëhershëm.
Po ashtu menaxhementi i SHSKUK-së, përmes qarkores informative ka kërkuar nga drejtorët e institucioneve shëndetësore të bashkëpunojnë me mediet dhe me gjithë opinionin e gjerë publik, në rastet kur kërkohet të luftohen dukuritë negative.
Nëse vërehet se ka neglizhencë, menaxhmenti do të jetë i detyruar të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, në rend të parë ndaj menaxherëve, por edhe vartësve të tyre.
\"Ftojmë pacientët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për ankesë direkte në Drejtorinë e SHSKUK-së, apo në kutitë e ankesave, duke ju garantuar se ato ankesa do të shqyrtohen me seriozitet.\"
\"Po ashtu, njoftojmë pacientët se, së shpejti në kuadër të SHSKUK, do të veproj zyra për të drejtat e pacientit, ku pacientët do të adresojnë ankesat e tyre\" thekson menagjmenti i SHSKUK-së.