SHSKUK gjatë vitit 2017 ofroj 6.9 milion shërbime të ndryshme shëndetësore

Prishtinë, 17 mars - Në raportin e punës për vitin 2017, të miratuar nga Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), mes tjerash ceket se në kuadër të SHSKUK-së, nga muaji janar deri në fund të dhjetorit 2017, janë ofruar 6.9 milion shërbime të ndryshme shëndetësore.
Në këto shërbime përfshihen operacione, kontrolle specialistike, analiza laboratorike, ekzaminime diagnostike.
Në klinikat e QKUK-së dhe Spitalet e Përgjithshme ka pasur gjithsej 164 973 pacientë të shtrirë me 881 711 ditë shërimi.
Në raport, bëhet e ditur se në nivel të QKUK dhe shtatë Spitalet e Përgjithshme, janë kryer 40 509 operacione, përderisa janë ofruar 1.3 milionë shërbime dhe kontrolle në ambulancat specialistike.
Në laboratorët e QKUK dhe Spitaleve të Përgjithshme, janë kryer gjithsej 2.7 milionë parametra laboratorike për 458 484 pacientë.
Në shërbimet diagonstike në nivel të SHSKUK-së, janë kryer 1.9 milionë shërbime, përfshirë, rëntgen, tomografi të kompjuterizuar, rezonanca magnetike dhe ekzaminime tjera diagnostike.
Menaxhmenti i SHSKUK-së, me prioritet të lartë po merret që sa më shpejtë të funksionalizojë objektin e ri të ambulancave specialistike për degët kirurgjike, ortopedi, ftiziatri dhe degët internstike, objekt ky që do të ofroj kushte bashkëkohore për pacientët dhe stafin shëndetësorë që ofron shërbime shëndetësore.
Menaxhmenti i SHSKUK-së, në koordinim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, po punojnë që furnizimi me barna dhe material shpenzues të përmirësohet muajt në vijim, meqë janë në procedurë prokurimi 300 artikuj të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë.