Shqipëria bllokon katër vjet barnat kosovare
Prishtinë, 30 korrik - Sot në Odën Ekonomike të Kosovës u mbajt një konferencë për media ku u shfaqën problemet e paraqitura në bashkëpunimin tregtar Kosovë-Shqipëri, në sektorin e produkteve farmaceutike.
U theksua se në këmbimin tregtar të produkteve farmaceutike, nga ana e palës shqiptare, nuk janë duke u respektuar marrëveshjet bilaterale ndërmjet dy qeverive, përkatësisht ministrive përkatëse, marrëveshjet ndërkombëtare për tregtimin e produkteve farmaceutike, siç është marrëveshja e CEFTA-së dhe marrëveshje tjera ndërmjet prodhuesve farmaceutikë.
Më saktësisht Shqipëria po vazhdon të aplikojë bllokadë për produktet farmaceutike Made in Kosova, që nga viti 2010 e këtej, edhe përkundër dëshmive të bollshme për cilësinë e produkteve të prodhuesit të njohur kosovar për prodhimin barnave Trepharm.
Në konferencën për shtyp u theksua se produktet farmaceutike të Trepharm i përmbushin të gjitha standardet ndërkombëtare të cilësisë, janë të certifikuara dhe të plasuara që katër vite në tregun e Kosovës.
Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, theksoi se raportet tregtare Kosovë-Shqipëri nuk janë as për së afërmi në nivelin e nevojave dhe kërkesave, por as në nivelin e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet ndërshtetërore.
Raportet me Shqipërinë më shumë po del të jenë idilike dhe shfaqje teatrale para kamerave. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet bllokada e papranueshme e produkteve farmaceutike të prodhuesit kosovar Trepharm, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, në tregun kosovar ka vite që tregtohen 65 produkte medicinale të prodhuesve më të njohur nga Shqipëria. Ndërkohë që asnjë nga 60 produktet medicinale të Trepharm nuk kanë gjetur vend në tregun shqiptar, për shkak të bllokimit të paligjshëm dhe me arsyetime të papranueshme dhe banale. Gerxhaliu tha se më kot po del që e kemi azhuruar vazhdimisht problemin edhe në institucionet shtetërore të Kosovës, por edhe në ato të Shqipërisë. Madje edhe në biseda me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, është biseduar problemi dhe ai ka premtuar zgjidhje urgjente të bllokadës. Por deri më sot nuk është bërë asgjë.
Bllokada po vazhdon nga Qeveria Berisha në Qeverinë Rama, përkundër premtimeve të zyrtarëve shqiptarë për zhbllokimin urgjent të produkteve. Për ne është e pakuptueshme se si Qendra Kombëtare për Kontrollin e Produkteve në Ministrinë e Shëndetësisë se Shqipërisë nuk pranon çertifikatat e autoriteteve përkatëse të Kosovës. Ne nuk po kërkojmë reciprocitet, por po kërkojmë zgjidhjen e problemit dhe kërkesa jonë legjitime u është drejtuar të gjitha instancave kompetente të Kosovës dhe Shqipërisë, tha ai.
Arian Zeka, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, po ashtu kërkoj që urgjentisht të zgjidhet problemi, duke shtuar se përveç deklaratave politike, shfaqjeve teatrale të dyanshme, duhet të krijohen kushte reale për zhbllokimin e produkteve farmaceutike të Kosovës. Këto barriera të vendosura nga Shqipëria janë shkelje e rregullave të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe CEFTA-së, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i Trepharm, Mërgim Prishtina, theksoi se produktet e kësaj ndërmarrje janë tashme që katër vite të prezantuara suksesshëm në tregun e Kosovës, ndërkohë që refuzimi nga Shqipëria vazhdon nga qeveria Berisha dhe qeveria e re. Refuzimi i fundit, sipas tij, është i pakuptimtë, i pajustifikueshëm dhe joligjorë.
Autoritetet shqiptare nuk i njohin çertifikatat e institucioneve të Kosovës, edhe pse produktet e Trepharm i plotësojnë të gjitha kushtet dhe standardet evropiane të cilësisë, tha Prishtina.
Ai ka kërkuar edhe me këtë rast ndihmën e shtetit për tejkalimin e këtij problemi. Edhe për Prishtinën kërkesat e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave janë të pakuptimta dhe joligjore.
Nga autoritetet shqiptare kërkohet produktet që kërkojnë të plasohen në Shqipëri duhet të gjenden së paku dy vite në tregun ku prodhohen. Ndërsa barnat e Trepharm në tregun e Kosovës gjinden që katër vite, tha ai. Prishtina theksoi se të gjitha barnat 60 produkte të Trepharm, janë të bllokuara në Shqipëri dhe asnjëra nga to nuk pranohen nga autoritetet përkatëse shqiptare.