Shqetësuese të dhënat për shëndetin dentar tek fëmijët
Prishtinë, 26 shkurt - Sot drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia bashkë me përfaqësuesit e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) Shërbimi Stomatologjik, Avdullah Hoti, drejtor i QKMF së, Valdet Lajqi, udhëheqës i sektorit të stomatologjisë dhe stomatologët Merita Barani e Ardian Beqaj, prezantuan të gjeturat nga hulumtimi për shëndetin oral të fëmijëve në institucionet parashkollore në Komunën e Prishtinës.
Siç e dini, në vitin e kaluar janë bërë vizitat sistematike nëpër shkollat e Prishtinës. Në këto vizita sistematike kanë dalë disa rezultate të cilat në disa aspekte kanë qenë shqetësuese dhe si rrjedhojë Komuna e Prishtinës dhe menaxhmenti i QKMF-së kanë filluar masa në drejtim të përmisimit dhe parandalimit të patologjive të gjetura .
Në këtë drejtim, një prej problemeve më të mëdha që i kemi hasur gjatë këtyre vizitave sistematike kanë qenë shëndeti oral, sidomos ne klasat e para. Me propozimin e menaxhmetit të QKMF-së dhe stafit nga shërbimi stomatologjik pranë QKMF-së, kemi filluar një projekt në fundin e vitit të kaluar ku të njëjtat vizita bashkë me shumë udhëzime për fëmijët dhe prindërit e tyre janë bërë edhe në çerdhet publike në komunën e Prishtinës.
Fatkeqësisht, të gjeturat e këtij hulumtimi nuk kanë dalë shumë mirë sa i përket gjendjes së shëndetit oral tek fëmijët në institucionet parashkollore çka e konfirmon shqetësimin tonë institucional. Mirëpo, bashkë me hulumtimin shërbimi stomatologjik, menaxhmenti dhe ekipi që e ka bërë këtë hulumtim ka dalë me disa rekomandime të cilat do të jenë detyrë e jona si drejtori që ti marrim masat e duhura në drejtim të edukimit dhe parandalimit të problemeve të cilat i kemi hasur gjatë këtij hulumtimi, tha drejtori Vitia.
Në kuadër të projektit Fëmijë të vegjël, buzëqeshje të mëdha, doktoresha Merita Barani, tha se fëmijët konsiderohen si kategoria më e prekur dhe më e ndieshme nga prishja e dhëmbëve, ndërsa prevalenca e kariesit tek fëmijët e moshës parashkollore, 2 6 vjeç, është 91.2 %.
Në këtë hulumtim ishin të përfshirë 1.388 fëmijë të institucioneve parashkollore të Komunës së Prishtinës, ndërsa u prezantuan rezultatet e kategorizuara ndaras sipas gjinisë, moshës dhe institucionit parashkollor. Njëkohësisht, përpos ekzaminimit të fëmijëve, para tyre është promovuar edhe mënyra se si duhet që ata të përkujdesen për dhëmbët si dhe janë shpërndarë broshura informuese për prindërit e tyre.
Fëmijët konsiderohen si kategoria më e prekur dhe e rrezikuar sa i përket shëndetit dental. Prevalenca e fëmijëve në parashkollor, e kalon shifrën prej 90%. Fëmijët me shumë dhëmbë karioz kanë më pak se 80% të peshës mesatare, që duhen të kenë për moshën e tyre, tha doktoresha Barani.
Sipas këtij raporti, higjienë orale të kënaqshme kanë pasur 71.7 % të fëmijëve, ndërsa higjienë jo të kënaqshme 28.3% të fëmijëve. Tek fëmijët e moshës 5 dhe 6 vjeçare, shifrat janë më alarmante sa i përket jo higjienës orale.
Doktoresha Barani tha se nga gjithsej 20 dhëmbë të qumështit, mesatarisht 9 10 prej tyre janë të dëmtuar apo iu janë nxjerrë fëmijëve, gjë që është tregues se duhet të punohet më shumë për informimin e prindërve lidhur me rëndësinë e shëndetit dentar tek mosha e hershme e fëmijëve të tyre, si dhe u paralajmëruan projektet që do të realizohen në të ardhmen, ku përfshihet edhe klinika mobile dentare.
Projekti Fëmijë të vegjël, buzëqeshje të mëdha u realizua me qëllim të hulumtimit dental tek grupmoshat e parashkollorëve, promovimin dhe informimin e opinionit për rëndësinë e shëndetit oral, si dhe u propozuan masat parandaluese.
Drejtori Arben Vitia i informoi të pranishmit se së shpejti do të fillojnë vizitat shëndetësore sistematike për vitin 2015, ndërsa tha se kësaj radhe pos nxënësve të klasave të I ra dhe të V ta, do të përfshihen edhe fëmijët e klasave të IX ta.