Shpërthen sërish COVID 19 në Kinë
Pekin, 30 korrik - Rreth 200 persona janë infektuar prej kur koronavirusi është identifikuar në një aeroport të Kinës më 20 korrik.
"Të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Nanjiangut do të pezullohen deri më 11 gusht", shkruan agjencia Global Times, duke cituar një burim.
Zyrtarët po ashtu kanë nisur testimet masive, ndërkohë që janë kritikuar për “dështim”. Të gjithë 9.3 milionë banorët e qytetit, përfshirë vizitorët, do të testohen, ka thënë agjencia e lajmeve kineze, Xinhua.
Zyrtarët besojnë se shpërthimi aktual është i lidhur me variantin tejet ngjitës të koronavirusit, Delta, i cili më pas është përhapur me lehtësi, për vetë faktin se është identifikuar në një aeroport me shumë qarkullim.
Testimet kanë treguar se koronavirusi tani është përhapur në të paktën 13 qytete. Megjithatë, ekspertë të cituar nga Global Times, kanë thënë se besojnë që shpërthimi është ende në fazë të hershme dhe mund të kontrollohet.
Zhangjiajie, një vend i njohur turistik në Provincën Hunan dhe vendi i xhirimit të filmit të famshëm Avatar të James Cameron, besohet të jetë një nyje tjetër kryesore në zinxhirin e infeksionit. Katër raste të infektuara që kishin qenë në aeroportin Lukou u gjetën duke parë një shfaqje kulturore me më shumë se 2,000 njerëz në Zhangjiajie më 22 korrik. Pekini raportoi dy raste të konfirmuara që u kthyen nga Zhangjiajie të enjten.