Shpërdorimi i barnave me recetë, problem në rritje
Los Angeles, 4 janar - Zyrtarë të shëndetit thonë se abuzimi me drogën është shkaku kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara dhe se barnat me recetë janë një pjesë e madhe e problemit.
Barnat kundër dhimbjeve dhe stresit kanë lënë shumë njerëz në varësi të këtyre ilaçeve.
Në Qendrën e Rehabilitimit në Malibu, jashtë qytetit Los Angeles, pjesmarrësit mësojnë se si të praktikojnë yoga për të përballuar stresin, ankthin dhe dhimbjet kronike.
Instruktorja Shannon Scott ka qënë dikur tepër e varur nga barnat qetësues si Vicodin. Tani ajo mëson të tjerët se si të çlirohen nga ky ndikim.
\"Vicodin ishte një nxitës për mua. Kështu që unë gjithashtu përdorja Vicodin për energji, për të qenë aktive gjatë ditës.\"
Zyrtarët amerikanë të shëndetit thonë se helmimi shëndetësor ishte shkaktari kryesor i vdekjes në vitin 2008, dhe se 90 përqind të helmimeve janë shkaktuar nga droga, duke përfshirë edhe barnat qetësues.
Qeveria thotë se vdekjet e shkaktuara nga barnat kundër dhimbjeve është mbi trefishuar gjatë 10 vjetëve të fundit.
Ky nuk është një lajm i ri për Mary Ann Gunn, gjykatëse në pension, e cila ka një shfaqje televizive të quajtur Last Shot with Judge Gunn, ku tregohet efekti i vërtetë i drogës në jetën e njerëzve dhe familjeve të tyre.
\"Në vitin 1999, problemi i madh ishte methamphetamine dhe ne e kemi trajtuar dhe po vazhdojnë t\'a trajtojmë çështjen. Gjithnjë e më shumë gjatë viteve kemi filluar të shohim njerëz të varur edhe nga barnat me recetë. \"
Farmakologu James Adams i Universitetit të Kalifornisë Jugore thotë se barnat e fuqishme krijojnë varësi tek pacientët.
\"Unë nuk jam duke folur për abuzuesit e heroinës në rrugët e Los Angelesit. Por e kam fjalën për një të moshuar që po vdes nga oxycodone, po vdes nga hydrocodone, po vdes nga morfina. \"
Dr. Adams thotë se 90 milionë amerikanë kanë dhimbje kronike, shumica e tyre shkaktuar nga artriti, mbipesha dhe nga plakja.
Ai thotë se zgjidhja është duke përdorur mënyra alternative për të menaxhuar dhimbjet dhe duke dhënë barna të fuqishëm vetëm për ata që kanë nevojë për to.
Një tjetër zgjidhje, thotë ai, është krijimi i një regjistri të pacientëve që do tu lejonte mjekët dhe farmacistët të dinin se çfarë barnash janë duke marrë pacientët e tyre.