Shkencëtarët po zbulojn vaksinen që na mbron nga gripi për gjithë jetën
Londër, 25 gusht - Shkencëtarët thonë se janë një hap më afër krijimit të vaksinës që do të sigurojë mbrojtje gjatë gjithë jetës, ndaj çdo lloji të gripit.
Pas rezultatit që kjo vaksinë ka dhënë tek kafshët, shkencëtarët deklarojnë se shumë shpejt do të krijohet vaksina për mbrojtjen nga forma të ndryshme të gripit.
Një \'vaksinë universale do të krijohet për të mbrojtur trupin e njeriut nga gripi, një virus që vret deri në gjysmë milioni njerëz në çdo vit.
Sipas revistës shkencore Nature Medicine, dy skuadra kërkimi amerikane kanë patur sukses në përpjekjet e tyre për të ndërhyrë në pjesët e qëndrueshme të virusit të gripit. Kjo do ti jepte fund problemit me vaksinat aktuale të gripit, të cilat duhet të merren çdo vit pasi fokusohen në pjesët mutante të virusit.
Tashmë studimi duhet të bëhet tek njerëzit për të konfirmuar se kjo metodë është efektive.
Ekspertët u bëjnë thirrje njerëzve se duhet të vazhdojnë të bëjnë vaksinën e përvitshme kundër gripit, pasi kjo është ende mënyra më e mirë për të mbrojtur veten nga infeksioni.