Shkarkohet drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale
Prishtinë, 18 dhjetor - Një aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, e ka obliguar drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Klinik Spitalor Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, që të rikthejë në fillim procedurën e përzgjedhjes së drejtorit në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK.
Kështu, me këtë vendim, Gjocaj është obliguar që të shkarkojë drejtorin e Kirurgjisë, Rifat Bajramin, pasi njëri nga kandidatët, Dr. Sali Krasniqi, që nuk ishte përzgjedhur drejtor në atë konkurs, kishte bërë padi në Gjykatë për mënyrën e poentimit dhe për shkelje tjera administrative të kryera gjatë përzgjedhjes së drejtorëve të klinikave në QKUK.
Drejtori i SHSKUK-së ka thënë se ka nxjerrë vendim për të respektuar vendimin e Gjykatës së Apelit.
Sipas vendimit të Gjocajt, kirurgu Adem Rrusta është caktuar u.d. detyre i drejtorit të Kirurgjisë Abdominale. Vendimi arsyetohet me shkresën e Gjykatës së Apelit, në të cilën kërkohet zbatimi i ligjshmërisë sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prandaj drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, në bazë të kompetencave, konform ligjit në fuqi dhe aktgjykimeve në fjalë vendosi për shkarkimin e Dr. Rifat Bajramit nga detyra e drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale dhe caktoi për ushtrues detyre të drejtorit në këtë klinikë Dr. Adem Rrustën, deri në shpalljen e konkursit publik dhe rezultateve të dala nga ai, thuhet në shkresën e Gjocajt.
/Zëri