Shkalla e të infektuarve me koronavirus në Gjermani vazhdon të bie
Berlin, 17 prill - Shkalla e të infektuarve me koronavirus në Gjermani vazhdon të bie, thanë zyrtarët shëndetësorë të premten.
Dhjetë njerëz që kanë virusin tani ua kalojnë atë vetëm shtatë personave të rinj.
Në fillim të marsit, dhjetë njerëz kanë infektuar 30 njerëz të rinj, ndërsa në fillim të prillit 13.
Sipas shifrave zyrtare, në 24 orët e fundit në Gjermani janë regjistruar 3,380 raste të reja pozitive me koronavirus, duke e rritur në 133,830 numrin e përgjithshëm të tyre.
Më shumë se gjysma prej tyre janë shëruar.
Numri i viktimave është rritur në 24-orëshin paraprak për më pak se 300, përkatësisht në 3,868.
Suksesi relativ i Gjermanisë në trajtimin e koronavirusit u është atribuar kryesisht testimeve masive.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka njoftuar të mërkurën se masat e izolimit në Gjermani do të vazhdojnë së paku deri më 3 maj, edhe pse disa biznese të vogla do të rihapen më herët.